Ballina Kronika Vodhi një shumë parash në 6 pika për shitjen e karburantit, arrestohet...

Vodhi një shumë parash në 6 pika për shitjen e karburantit, arrestohet menaxheri 55-vjeçar

24
0

Një 55-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se vodhi para në 6 pika karburanti në Elbasan. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet S. Zh., 55 vjeç, banues në Elbasan, menaxher në këto pika karburanti.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Grid”. Vodhi një shumë parash duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari.

Vijon puna për kapjen e një shtetasi që dyshohet se i ka marrë një shumë parash 55-vjeçarit, me anë të mashtrimit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grid”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit S. Zh., 55 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur rreth 5 400 000 lekë (xhirot ditore), duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, që u gjet në ambientet e punës ku qëndronte ky shtetas.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 25 vjeç, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash shtetasit S. Zh., me anë të mashtrimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.