Ballina Aktualitet Rikthehet sëmundja “Ethet e Nilit” në Shqipëri, tre viktima dhe 17 të...

Rikthehet sëmundja “Ethet e Nilit” në Shqipëri, tre viktima dhe 17 të infektuar deri më tani, ja cilat janë simptomat

0
35

Sëmundja virale “Ethet e Nilit” është rikthyer në vendin tonë pas 13 vitesh. Bëhet me dije se deri më tani 3 persona kanë vdekur dhe 17 të tjerë janë infektuar. Shefja e departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë ISHP-së, zonja Silva Bino doli në një njoftim për mediat, ku konfirmoi lajmin dhe bëri të ditur se situata është nën kontroll.

Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga pickimi i mushkonjave. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.

Simptomat

Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma.

Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin:

temperaturë e moderuar,
gjendje parehatie e përgjithshme
ulje të oreksit
të përziera,
dhembje koke,
dhembje sysh,
dhembje shpine,
dhembje muskujsh,
kollë
puçrra,
diarre
nyje imfatike të zmadhuara,
vështirësi në frymëmarrje.

Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si:

temperaturë e lartë,
encefalit
meningjit
dhembje të forta të kokës,
dobësi dhe paralizë të lehtë,
simptoma gastrointestinale,
çorientim,
të dridhura
konvulsione
puçrra në kurriz, qafë, krahë dhe këmbë,
ataksi (humbja progresive e koordinimit të muskujve),
koma

Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.

Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.

Parandalimi

Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse. Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.

Kohëzgjatja e sëmundjes

Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa supozohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.

Trajtimi

Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.