Ballina Kronika Po udhëtonte drejt Greqisë me 19150 euro të padeklaruara, procedohet në Kakavijë...

Po udhëtonte drejt Greqisë me 19150 euro të padeklaruara, procedohet në Kakavijë 38-vjeçari nga Patosi

25
0

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me rreth 20 mijë euro cash dhe të padeklaruara, procedohet penalisht 38-vjeçari i dyshuar.

Policia Kufitare e Gjirokastrës ka njoftuar sot se ka zbuluar dhe goditur në Kakavijë një rast të kontrabandës së valutës, kurse personi i hetuar kishte destinacion Greqinë.

Burime zyrtare sqaruan se “u krye kontroll në çantën e shtetasit I. M., ku u gjetën 19150 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar konform ligjit”.

I riu rezultoi nga verifikimet e dokumentacionit dhe marrja në pyetje paraprake se ishte nga Patosi dhe banonte në Greqi, ku edhe punonte.

“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, njoftoi policia vendore.

Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe shuma e eurove, teksa po hetohet shkaku i mosdeklarimit të parave nga 38-vjeçari dhe dosja iu referua prokurorisë vendore.