Ballina Politika Përvjetori i vrasjes së poetit Havzi Nela, Basha: Pandëshkueshmëria që sundon tranzicionin,...

Përvjetori i vrasjes së poetit Havzi Nela, Basha: Pandëshkueshmëria që sundon tranzicionin, përkon me mungesën e përballjes me drejtësinë e kriminelëve të regjimit

23
0

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha përmes një postimi në facebook ka përkujtuar poetin e madh Havzi Nela, i cili 36 vite më parë u var në litar nga regjimi komunist.

Basha shkruan se borxhi i pashlyer ndaj Havzi Nelës, xhelatët e të cilit nuk u përballën kurrë me drejtësinë, si dhe borxhi ndaj të gjitha viktimave të regjimit gjakatar dhe pasardhësve të tyre, është detyrimi më i madh moral dhe material ndaj të shkuarës dhe brezave të ardhshëm.

Sipas tij, fillimi i pandëshkueshmërisë që sundon tranzicionin, përkon me mungesën e ballafaqimit me drejtësinë e kriminelëve të regjimit me krimet e tyre.

Postimi i Bashës:

10 Gushti i 1988 ka hyrë në kujtesën tonë kolektive, si dita në të cilën regjimi gjakatar komunist kreu një nga aktet më barbare të historisë, duke ekzekutuar në litar në qendër të Kukësit poetin, patriotin, mësuesin disident, Havzi Nelën.
Jeta e tij tragjike u thye sepse regjimi edhe pse e torturoi, internoi dhe arrestoi, nuk e mposhti dot guximin dhe shpirtin e tij rebel. Vepra dhe idetë e Havzi Nelës ishin dhe mbeten një monument njerëzor i rezistencës antikomuniste, i kurajos qytetare dhe intelektuale për të mos u përkulur përballë të keqes edhe kur ajo duket e pathyeshme, e vetëmohimit për të paguar me çmimin e jetës vlerat e patjetërsueshme të humanizimit me të cilin poeti martir ishte mbrujtur.
10 Gushti është për të gjithë ne, një ditë reflektimi, kujtese dhe mirënjohje për Havzi Nelën dhe plejadën e të rënëve gjatë diktarurës komuniste, shpirtrat e të cilëve kanë ndriçuar udhën e shqiptarëve drejt lirisë, por edhe na vetëdijëson se, paçka vitet dhe dekadat kalojnë, borxhi ndaj sakrificave të tyre sublime mbetet ende i pashlyer, pasi për një amnezi të qëllimshme dhe një hipokrizi të pajustifikueshme, ndërtuam demokracinë me njerëzit e diktaturës.
Ky borxh i pashlyer ndaj Havzi Nelës, xhelatët e të cilit nuk u përballën kurrë me drejtësinë, si dhe borxhi ndaj të gjitha viktimave të regjimit gjakatar dhe pasardhësve të tyre, është detyrimi më i madh moral dhe material ndaj të shkuarës dhe brezave të ardhshëm. Fillimi i pandëshkueshmërisë që sundon tranzicionin, përkon me mungesën e ballafaqimit me drejtësinë e kriminelëve të regjimit me krimet e tyre.
Fundi i pandëshkueshmërisë, përballja me të shkuarën e errët komuniste dhe korruptive, janë edhe amaneti që kemi detyrim të çojmë përpara në respekt të së shkuarës tonë të dhimbshme, e për të fituar të ardhmen për të cilën Havzi Nela dhe martirët e antikomunizmit dhanë jetën e tyre.
I përjetshem kujtimi dhe vepra e Havzi Nelës!