Ballina Kulturë Shkupi historik flakë po digjet, e njerka para pasqyrës krihet

Shkupi historik flakë po digjet, e njerka para pasqyrës krihet

25
0

Nga Kalosh Çeliku

Drekë Mbretërore me Zonjën Di te këmbët e Aleksandrit Madh

Mikja Di, vjen një ditë në Shkup

Edhe, më bënë zë për një kafe!

I përgjigjem: Mirë, ku do ta pish kafen?

Mundet te “Tivoli”, përkarshi Skënderbeut.

 

E pimë kafen. Porositë edhe muskul viçi

Mishi nuk i pëlqen. Thotë: Qenka i kuq?!

Gjysmën ma jep mua. Që, sot s’dua mish viçi

 

Mundësisht, kërkoj mish mëshqerre fushe!

Tekefundit, së paku marrë “ilaçet” e përditshme:

Një raki rrushi. Dhe, dy shtama me verë!

 

Ditën e nesërme, Mikja Di më merr në telefon,

Unë jam te “Pirini”. Përpara këmbëve të Olimbisë:

Me fëmijë në bark. Gji, dhe prehër.

Ecë, ta pimë nga një “hallall” turku!

Pastaj, dalim matanë “Urës Gurit”. Vardarit.

Vetëm, se: mos u vono shumë rrugës!

 

Jo, i gjegjem: t’i laj sytë. Dhe, veshi brekët

Plumb, ma pret: Mund të vish edhe pa brekë!

Fisi i kaçakëve, nuk ka kohë për brekë

Mauzerrin, sot patjetër duhet rrok në dorë!

Qeshem: Ndoshta, me tirqi. Struken krahëve

E, ”nagëntin” me gjithë fishekë, e një në gojë.

 

Miken Di, e gjej te “Pirini” si qyqe në Lis

Përshëndetemi. Ulem, dhe e pyes për drekë?

Shkaku, se: më kujtohet Hoxha, mik i Asdrenit

Nuses së vëllait, kur e pyeti si mysafir për kafe,

Hoxhë, i tha sipas zakonit: a, je për një kafe?

Hoxha: po. Kafe mundet. Vetëm se, pas buke!

Jo, më përgjigjet Di. Mirë, ku ta ndalim anijen

Matanë “Urës Gurit”, plotë gojën nervoze.

 

E marr përkrahu. Dhe, dalim matanë Vardarit

E lëmë Olimbinë me fëmijë në bark, gji e prehër.

Goce Dellçevi me mustaqe mbi kalë na hap rrugë:

Karposhi këmbëzbathur, shalon një kalë pa shalë,

Nikolla Karevin pa pushkë në dorë roje Ure.

 

E gjetëm restorantin tek Aleksandri Madh

Këmbëkryq, para Kalit “Bukefalë”.

Zonja Di, kërkon herdhe viçi?!

Jo, i përgjigjet çuni. Specialitet shtëpie

Sot i kemi: herdhet e kalit teknefes:

Përmëkeq, edhe ato të “Kalit Shemës”.

 

Ndërhyj, unë: E, a keni herdhe mëzati?

Kamerieri, rrudhë krahët. Për herë të parë:

Në këtë restorant, dëgjoj për këtë specialitet!

Megjithatë, kush e përgaditë tek ne, në Ballkan?!

Qeshem, Unë. Dhe, i përgjigjem: Shqiptarët.

Në fund, e hamë nga një picë italjane.

Dhe, strukemi në terr si dy zogj shtegtarë.

Kokë më kokë te këmbët e “Kalit Shemës”…

 

Kaçakët e Qytetit të Qyqeve Sot: në “Liri”

Vite më vonë, e takoj Miken Di. Poete,

Ende, unë pa e hapur gojën, më thotë:

Posa kalova “Urën e Gurit” mbi Vardar,

Mendja më shkoi tek Ti, o Ujku Plak.

 

Qesha. Dhe, i them pas kaq viteve Larg:

Asgjë sot nuk kam. As grua, as dashnore.

Nuk e them dot, se: nuk kam edhe një Mike

Përmëkeq, Dje e as Sot, një Parti politike.

Nateditë flej, zgjohem me Poezinë rebele

“Bombat” politike, që ma prishin gjumin.

Luftën për pushtet. Nuk i zbresin gomarit,

Pak, t’i hipë mbi shpinë edhe Nastradinica.

Përgjime në Vardar para kamerave televizive:

Me cilën Poezi e përcolla Natën. Prita Agimin.

 

E pamundur, përgjigjet Mikja. Ec pas meje

Punemadhe, mua më ke në çetë. Poezinë.

Bombë artistike. “Kashikarë”, raki rrushi

Sonte, dalim kaçakë, matanë Vardarit:

Unë si Shotë Galica. E, ti si Azem Bejta.

Fytas rrokemi me haxhuxhe te “Skënderbeu”

Nën “Rrap” rrokullisim disa shtamaverë,

Vitet e ikura Dje. Dhe, Sot: në Qytetin e qyqeve.

 

Vargun azgan, e shaloj për Liri në “Bit – Pazar”, Shkup…

 

Shkupi Historik flakë po digjet e Njerka para pasqyrës krihet

Shkupi Historik, po digjet: Zjarri merr flakë

Unë, po dridhem. Mos ki frikë!

Ja, më doli flaka. Nuk e besoni:

Jo, nuk digjem. E, ndeza Zjarrin.

 

Fëmijët, i shkruajnë Babait n’Amerikë

Mësuesit t’im të muzikës. Shkollës fillore:

Hajrulla Ukalli. Patriot, i madh shqiptar.

Na dërgo pak para! Edhe, ne të hyjmë

Shqiptarët. Në shtëpinë e re, si shkijet.

Mësuesi, u përgjigjet nga Amerika:

Unë, nuk kam para. As, edhe dollarë.

Ju, në Shtëpinë e re, në Kërçovë:

Mos hyni si shkijet, po hyni si shqiptarët!…

 

Pylli egër

Xhungël. I forti e hanë të dobtin tek Lumi

E, thotë Përralla e Abetares: “Qëngji dhe Ujku” .

Punë tjetër, se: ne, shqiptarët sa e kemi kuptuar

Këtë përrallë Abetare, në Breg të Lumit.

Breg – Lum, Shkaku, se: Qëngji ia turbullon

Ujkut, ujin?! Vit për vit hurdhave te Lumi?!

Punemadhe, që Ujku pi ujë mbi të, urë në breg,

E, qëngji, poshtë rrjedhës të Lumit, nën Urë.

 

Babai e ka fajin, sipas Ujkut. Vitin e kaluar:

Ujkut, “pavetëdije” ia ka turbulluar ujin…

Ligje të Natyrës. Megjithatë, jetojnë bashkë,

Mes vete, ndoshta kanë edhe marrëveshje.

Me siguri, jo si tonat (njerëzore) plot pabefasi

Shtëpinë, nuk e lëshon te pragu, asnjëri “vëlla”.

Përgëzime Ligjeve Natyrës, i pranojnë shqiptarët

Luftë për jetë. Zonjën Vdekje, e presin në darkë.

 

Megjithatë, e kanë vështirë në Pyllin e egër

Ligjet t’i respektojnë në Shtetin e “përbashkët”:

“Liri” të kemi, edhe Diën e Nesërme…

 

Xha Cuti “i marrë” pëshurri në sofër të xhindeve

Vështirë sot, është të mbash në Shtëpi

Një grua azgane për Nesër.

Pashterkën e kuqe përpara me pala,

E dy shami lidhur anësh për brezi.

Ose, më shkurt, një burrë mejdani:

Struken krahëve. Kësulën e bardhë në kokë.

Tirqi e xhamadan. Sahatin me qystek përqafe,

 

Nateditë ,“nagëntin” në brez. Fishek n’gojë.

 

Shkak, që shumë burra e gra azgane

Jetës i dhanë fund si qyqet pas Vëllait.

Lis më lis e mal më mal me Ku-ku:

Ku-ku, këtu. Ku-ku atje, me këngë vajtimi.

 

Xha Cuti, filozof i madh shqiptar

Katundarët thonin, se është “i çmendur”:

Natën ka pëshurrë në sofër të xhindeve.

 

Shpesh e pyesnim, pse nuk e merr një grua?!

Përgjigjej, plaku: Gruaja ka harxhime.

Pastaj, kur u martua Vëllai i Vogël

Edhe unë për dasëm dhash pak para.

 

Xha Cuti, filozof i madh shqiptar

Katundarët thonin, se: është “i marrrë”.

Jetën e mbylli pa një grua në shtëpi.

 

Nesër, harxhime mos ketë edhe në Varr…

 

Përçudi zgjohem në varr, dhe Veten vras në “Liri”

Kohën e fundit, Veten shoh ëndërr mes varreve

Rrëzë “Çukës”, edhe një varr i hapur.

Imzot, mos kam vdekur në gjumë,

E, unë ende nuk e di përsëgjalli nën “Rrap”?!

 

Nateditë turrem pas Dy shtamave me verë

Përçudi, nuk e di: sesi, zgjohem në Varr?!

 

Dhe, Veten para Agimit e vras në “Liri”…

 

Zonjën Vdekje Neser do ta marr për Grua

Gjumë ende s’ka. Unë, dihet, jam i çmendur

Ndodhë, një ditë Vdekjen do ta marr për Grua!

Gjithë jetën pata Gra besnike në shtrat

Tashti, dua ta q… edhe Zonjën Vdekje!

 

Pasi m’i mori të gjitha në këtë jetë: Pasurinë,

Gruan besnike. Dhe, Miket azgane mes poezive.

 

Falë të qofshin Zonjë, gjithë bërdhoqet politike!..

Tashti, Unë do të të q… Ty, oj Zonjë kurtizane besnike

Shtëpinë e Babait ta mbush me fëmijë. Mëmëdheun.

Edhe Atdheun. Flej rehat, oj Kurvë në “Shtëpinë Publike”,

Nesër, Unë do të ngrej dolli për Cucën Boheme.

 

Vërtetë, ishit gra të bukura aristokrate. Azgane

Vetëmse: edhe Zonja Vdekje, o miqtë e mi poetë:

Padyshim, është një Grua e bukur Besnike…

(Nga Libri: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua (Shkup, 31 dhjetor 2015.

 

Shkupi me luanë dhe përmendore e sa pak burra dhe gra besnike

Gati ikën të gjithë miqtë e mi poetë

Miket azgane te “Rrapi”. Gratë besnike.

Vetëm mbeta me Aleksandrin e Madh

Filipin e Maqedonisë. Dhe, Olimbinë:

Me fëmijë në bark. Prehër dhe Gjinjë.

Skënderbeun mes varrezave automobilave

Dje nga perëndimi. E Sot, nga Lindja.

Me shpatën në brez për “paqe”. Shalë

“Kalin e Shemës”, nëpër “Bit-Pazar”.

 

Shkupi, Sot plot luanë. Përmendore

E, pak burra mejdani. Gra besnike…

 

Nuk i trembem Luftës po Lirisë te Pragu

Jeta, është Luftë. Këtë e kanë thënë:

Stërgjyshi. Gjyshi. Babai, nën Lis.

Dhe, Vëllai Madh: Që, iku, në Paris.

Unë, nën “Rrap” me poezi, në Shkup:

E, përcillnim Natën. E prisnim Agimin

 

Edhe, Ti bëre luftë me Penë. Zjaaarr

E nxorre Lapsin nga brezi. E shkrepe:

I palove disa libra, Sot në Bibliotekë

 

Dhe, jo: armiqë të pabesë. E, pavlerë.

 

Jeta, është Luftë. Dhe, fitore e maleve

Nuk u trembe nga plumbat. Fitorja:

Po, iu trembe Lirisë. Nuses, te Pragu…

 

Raki rrushi pi nën “Rrap”për inatë Koronavirusit

Unë, e pi Koronavirusin, nën “Rrap”

Hije. Raki rrushi. Dhe, verëkuqe.

Nuk e dëgjoj Sot, “Doktorvirusin”.

Prandaj, më kot përpiqeni ta shitni

“Virusin” – politik, në Karantinë.

 

“Ilaçe”, që i kam pi Dje, dhe Sot bio

Nga Nana ime e “Llagut” Çelike:

Poezitë. Rakinë e rrushit, nën “Rrap”,

Dy shtamat me verë të Mikes Di.

Ibrikun e larmë, me Dy çepa Lumi

Sot, e pi me Koronavirusin “mik”!

 

Përqafe, kam dy “hajmalia”. Nateditë:

Njërën, të Dervish Nures Llagjeve.

Tjetra, është: E Skënderbeut përqafe…

 

Sesi të dal jashtë mureve arratisem larg në Pyll

Para, se: Të më shtinë në Karantinë

Pyes Veten: E di, në cilën Shtëpi?!

Jo, përgjigjem. Në “Parkun e Grave”

Përpara Kuvendit. Pjetër Bogdanit

Roje, e dashurive rrugaçe. Beqarisë.

 

Ujk plak jam, në dhomë mes librave

Përballë dritareve, një qershi. Lule.

Përkrah një Ftoni, që pret Vjeshtën

Unë mbi tavolinën e punës me poezi:

Sesi, të dal jashtë. Ikë larg, në Pyll.

 

Nuk jam vetëm në burg. I kam kojshitë

Qelitë e tyre. Gjithë, Shqipërinë. Botën.

 

Çelësat e burgut tingëllojnë. Hapen qelitë

Orar për pleq e të rinj. Vikendet, nën dry.

 

Vetëm kafshët e buta dhe egra rrugëve

Sot për sot: Grupe-grupe janë, në Liri…

 

Një rafall “automatiku” ia shkrepa në ballë

Dy shtamat me verë, ndizen flakë

Mbi çati. Natën, këndon Zog Keqi.

E, di. Ndjellë, kob. Edhe, Karantinë

Dhe, sulet tinzaku me Koronavirus.

Panikë. Frikë, në ekranet televizive

Gjatë, 24 orëve: U prekën nga virusi

Edhe, 70 persona. 15, dolën pozitiv

21 negativ. 11 veta, dolën nga spitali.

Gjithësejtë: 127. 19, janë viktima.

Nonstop, e bombardojnë popullin

Përditë, e përnatë me këto lajme.

Porosi: Mbani maska! Lani duart!

Rrini në Shtëpi! Mos dilni në rrugë

Rrini larg, dy metra edhe me gruan!

 

Edhe, kush i jep këto këshilla. Mësime

Qeveria, që deri dje na plaçkiti. Vrau:

Rrugëve na la, edhe pa bukën e gojës.

Horrat, sot me fjalë na duan marrëzisht?!

 

O burrë! Lapsin, Sot nxirre nga brezi.

Vargun, mbushe barot: Raki rrushi!

Shkrepja në ballë, “armikut padukshëm”

Përcille me katër krah. Polici, në varr.

 

Struken hudha në Lëmë. E nxorra Lapsin

Një rafall “automatiku”, ia shkrepa në ballë…

 

Poeti te “Parku i Grave” e dogji Koronavirusin

Pas borës madhe, që ra në Shkup

Doli Dielli me rreze. Dhe, Vapa.

Masat e Qeverisë u ashpërsuan

Plotë 61 orë, në Karantinë. Porosi:

Rrini në shtëpi! Lani duart! Sytë

Gjimnastikë. Këndoni, në verandë!

 

Dënime marramendëse nga policia

2000 euro, ai që kapet në rrugë.

Njerëzit, u futën vetë në Karantinë

Kafshët, dolën nëpër Qytet. Liri.

 

Pasmesnate, policia te “Parku i Grave”

E kapi, në befasi edhe një Poet rebel.

Arrestoi. Dhe, e pyeti: Ç’bën në park?

Poeti, nxorri ibrikun me raki rrushi

Dhe, u përgjigjë: Djeg Koronavirusin…

 

Burri i botës nuk e dëgjoi Gruan e tij besnike

Kalosh Çeliku, i tha: Koronavirusit

Grua, po dal pak në Kopësht. Diell.

Ajo dyshoi: Po shkon te një grua tjetër

I tha: Rri, në shtëpi! Grua tjetër, kurrë

Nuk mund të gjejsh më të mirë se Unë!

 

Nuk e dëgjoi burri botës Gruan besnike

Iku te “Parku i Grave” pas një Poezie…

 

Koronavirusi më pyeti çka do marr me vete

Koronavirusi, pyeti: Çka merr me vete

Gjatë 85 orëve burg, në Karantinë?

Iu përgjigja: Një ibrik me raki rrushi

Një fletore. Një lapës kimik. Një libër

Dhe, Dy shtama me verë të Mikes Di.

 

Jo! Rri, në shtëpi! Laj duart me sapun

Mbaj distancë dy metra larg Mikes Di!

 

Ani. E marr Koronavirusin në Karantinë…

 

Erdhi “armiku” Koronavirusi dhe më trokiti te dera

Kalosh Çeliku, jeni në shtëpi?

Jo, iu përgjigja: Kam vdekur.

Jetën, e vazhdoj mes varreve.

 

Nuk ma vuri veshin. Iku pas porte

Unë, vazhdova jetën mes poezive:

Bibliotekë. Dhomën time me libra…

(Nga Libri: Koronavirusi (Shkup, 07 qershor 2020.

Kufomën Time ende nuk e keni në Varr

E keni pritur me vite: Ringjalljen Time

Në Shkup. Korçë. Dhe, “Qafë – Thanë“.

Kohën e fundit, “Armiku i padukshëm“:

 

Kaq e kaq të infektuar. Dhjetë viktima.

Mes tyre, dhe një Poet rebel shqiptar:

Kalosh Çeliku, vdiq nga Koronavirusi.

Edhe, atë: Me Dy shtama verë të Mikes

Po, kufomën, ende nuk e keni në Varr?!

Kaq e kaq, u shëruan. Vdiqën, në spital:

Lani duart me sapun! Teshjet me bërryl!

Distancë, mbani edhe me Gruan besnike:

Në verandë, hiqni valle me këngë erotike

Aspak, në kronikat televizive: LINDJE?!

 

Sotekësajdite, nuk me do Zonja Vdekje

Pashterkëkuqja: Nuse, ende pa koçi.

Nuk ka problem. Marrëzisht, e dua Unë

Duartrokitje, Sot: Grave, të mia besnike!…

 

Nga libri: Burri Grave (Shkup, 2O21)