Ballina Opinion Pantoflat e Shefit të Antidrogës në Durrës… dhe karriera e tij misterioze...

Pantoflat e Shefit të Antidrogës në Durrës… dhe karriera e tij misterioze pas kanabisit në Mallakastër

18
0

Nga Alba Malltezi

Te një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, shefi i antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi, po shkonte i gëzuar të merrte 20 mijë eurot që ja pat kërkuar atij “…plehrës që ka klub nate te Ura Dajlanit në Plazh” e që e ka kapur me parregullsi: punonjës në të zezë e probleme të tjera. “Ose të paguajë, ose e mbylla!”. Pantallona të shkurtra dhe shapkat apo pantoflat që i tërheq në vapën e gushtit, ja lehtësojnë lëvizjen.

Në tavolinë, pronari i lokalit i jep fillimisht 10 mijë euro, sepse thotë se vetëm ato ka, të tjerat më vonë. Pastaj vijnë forcat e rendit, të autorizuara nga SPAK dhe i vendosin Preçit, me titullin shumë të rëndësishëm “Shef Antidroge”, prangat në flagrancë.

Të arrish të kërkosh 20 mijë euro në këmbim të favoreve administrative, do të thotë që të kesh bërë shumë stërvitje për këtë ves vite e vite më parë. A do të zbulohet i gjithë aktiviteti i Preçit? A do të munden investiguesit tanë më të mirë të kuptojnë dhe të zbulojnë këtë plagë të rëndë që ka infektuar qytetet tona, dhe jo vetëm Durrësin?

Eshtë e lehtë të bëhet vetëm një kontroll në Google për të mësuar se Gazmir Preçi, ishte “i stërvitur” në favorizime ndaj kultivuesve të kanabisit kur ishte Komisar në Mallakastër. Me 29 dhjetor 2021 ai vihet nën hetim (Lajmi i Shqiptares). Kjo CV, që do të rrëzonte edhe punësimin e një sanitareje në administratën publike, nuk ka shqetësuar ata që e kanë propozuar dhe emëruar në krye të Antidrogës së qytetit portual më të rëndësishëm të vendit jo shumë kohë më pas.

Nëse Gazmir Preçi, i kanabisit të Mallakastrës, është vendosur në Durrës për të “luftuar” drogën, ashtu siç ndodh dhe në filmat më fantaziozë të narkotrafikut, realiteti ja kalon edhe imagjinatës më të shfrenuar dhe Preçi, veç drogës, mendon “të pastrojë” edhe arkat e bizneseve, duke mbushur ato personalet.

Sa Preçë të ngjashëm ka nga Veri në Jug? Kush i mbështet dhe a do të krijojë Shqipëria më në fund një rrjet të fortë institucione-qytetarë për të vënë me shpatulla pas murit ata që veprojnë si mola që gërryen tavolinën e institucioneve që akoma mezi mbahen në këmbë? Shteti shqiptar dhe shoqëria jonë sot nuk meriton të përdoret siç Preçi tërheq pantoflat e tij në momentin kur u arrestua.