Gjykata e Posaçme ka vendosur ta lërë në burg shefin e Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçin, i cili i kishte kërkuar një biznesmeni 20 mijë euro në mënyrë që të mos i mbyllte aktivitetin.
Gjatë dëshmisë së tij, Preçi ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Ai ka deklaruar se nuk ka bërë korrupsion, pasi ka shkuar në takim pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë. Sakaq, ka theksuar se i kanë dhënë një zarf, pa e ditur se në të kishte para.
“Kërkoj nga Gjykata e Posaçme një masë më të butë sigurie. Jam baba i tre fëmijëve që duhet ti ushqej. Nuk duhet të më lini në burg. Unë nuk kam bërë korrupsion dhe nuk kam shpërdoruar detyrën.
Më ka thirrur biznesmeni dhe më ka thënë hajde të takohemi. Kam shkuar vetë pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë.
Ai më ka zgjatur një zarf brenda të cilit nuk e dija se kishte para. Më pas jam arrestuar. Në këtë moment unë kam kërkuar që zarfi me para të hapet vetëm në prani të një avokati por kjo nuk është bërë”, ka thënë Preçi.
Disa ditë më parë, Gazmir Preçi, është paraqitur tek një lokal nate, në afërsi të Urës së Dajlanit ku ka takuar pronarin dhe i ka thënë se ka disa vajza që punonin të paregjistruar.
Më pas shefi i anti-drogës, i ka dërguar një sekser, biznesmenit që t’i kërkonte 20 mijë euro në mënyrë që të mos kryheshin veprime. Pronari i klubit të natës, në këto kushte i është drejtuar drejtorisë së AMP duke bërë denoncim, ndërsa këta të fundit kanë referuar rastin në SPAK.