Ballina Opinion Si po shitet për skrap kauza e mbetjeve toksike?

Si po shitet për skrap kauza e mbetjeve toksike?

13
0

Nga Desada Metaj 

Debati për mbetjet toksike duket se po merr përmasat që i takon një çështjeje kaq delikate për mjedisin por dhe për rreziqet në shëndetin e qytetarëve. Nisja e hetimeve nga Prokuroria e Durrësit i ka dhënë zë medias, disi qeverisë dhe politkës që ende e trajton me delikatësë një çështje kaq të mprehtë.

Hetimet e derimëtanishme të prokurorisë kanë nxjerrë në dritë faktin se eksporti i lëndëve të rrezikshme (sipas analizave dhe alarmit të dhënë nga organizatat mdërkombëtare të mjedisiti) është kryer nga kompania Sokolaj sha. Gjovana Sokolaj është marrë dje në pyetje dhe ka pohuar para prokurorëve se dy ngarkesat e nisura drejt Tajlandës (një prej të cilave bllokuar në portin e Singaporit) i ka blerë nga KURUM. Prokuroria ka sekuestruar dhe faturat e blerjes. Pa u ndalur tek shitje- blerja e mbetjeve nga Sokolaj sha tek GS Mineral DOO në Kroaci, të dyja me aksionere Gjovana Sokolaj, një procedurë që dhe kjo po hetohet, vlen të përmendet se një shoqëri që deri para 10 vitesh tregëtonte qumësht dhe bagëti është totalisht e dyshimtë kur angazhohet në transport lëndësh minerare, përfshirë dhe transportin e lëndëve toksike me licencë të marrë në vitin 2022.

Sipas ligjeve shqiptare dhe konventave ndërkombëtare, përgjegjësia për asgjësimin e materialeve toksike është e kompanisë prodhuese. Në këtë rast të kompanisë KURUM. Nuk ka asnjë fabrikë tjetër në Shqipëri të ketë kapacitete kaq të mëdha prodhuese. Ndërkohë qeveria hesht dhe përpiqet të hedhë tym mbi zinxhirin përgjegjës të kontrollit që përfshin Ministrinë e Mjedisit, Drejtorinë e Doganave apo Portin e Durrësit. Duke krijuar më shumë amulli dhe pa kërkuar (sic ndodh zakonisht) asnjë përgjegjësi për këtë skandal. Sigurisht që qeveria nuk mund të hapë “luftë” me KURUM, kompanisë turke me lidhje të afërta me presidentin Erdogan. Për më tepër kur qindra njerëz janë të punësuar në këtë kompani çka e shndërron atë në një forcë presioni ndaj qeverisë në rast të mbylljes.

Të njëjten sjellje ka adoptuar dhe opozita. Jo më larg se dje kryetari i saj Berisha i doli haptas në mbrotje KURUM. Pa pritur hetimet apo bazuar në ato që ka publikuar media, ai deklaroi i sigurt se mbetjet nuk i përkasin KURUM. Dhe për të kuptuar sjelljen e tij, kaq larg një opozite normale, mjafton të shohësh se vendimi i fundit i qeverisë Berisha ka qenë blerja nga kompania turke e HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2, Ulëz dhe Shkopet. Një vendim që u kundërshtua fort nga opozita e atëhershme (PS). Si për ironi të fatit në seancën e fundit të kuvendit kur debatohej kjo shitje tek KURUM, Arben Ahmetaj do të deklaronte: “privatizimi I këtyre katër hidrocentraleve do të shfuqizohet “kur të vijë në pushtet PS-ja”.

Faktet tregojnë që jo vetëm nuk u shfuqizuan, por PS fuqizoi vazhdimisht KURUM-in me privilegje për mospagim taksash apo dhënie licencash. Për ti dhënë mbështetjen finale me “mbylljen e syve” kur kompani anonime, me gjasë të lidhura me KURUM transportonin në mes të ditës mbetje toksike. Për të cilart nëse alarmi nuk do të jepej nga organizata ndërkombëtare do të vazhdonin të transportoheshin si oksid hekuri.

Pyetja e parë që të lind në këto kushte është: sa herë të tjera ka ndodhur ky transport? Ku depozitohen këto mbetje në territorin shqiptar ndërkohë që presin të nisen drejt Azisë? A janë veç mbetje të KURUM apo ka dhe të tjera që vijnë nga Kosova apo kompani çimentosh?

Dhe në fund me të drejtë të gjithë duam të dimë: a do ti shkohet deri në fund hetimit të këtij skandali? A do të dalin para ligjit përgjegjësit e vërtetë apo do të mjaftohemi me një apo dy kompani dhe njerëz anonimë? Kjo pritet të shihet në ditët dhe hetimet që priten të pasojnë këtë ngjarje ku janë përfshirë dhe partnerë ndërkombëtarë.

Ajo që është shqetësuese për ne si shoqëri ka të bëjë me faktin se qeveria në Shqipëri me heshtjen dhe opozita në veçanti duket e paaftë ta shndërrojë këtë skandal në kauzë të saj. Sepse tek furrat e KURUM duket se digjen interesat e qeverisë dhe shpresat e opozitës për të patur moral para shqiptarëve.