Ballina Kronika I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik armësh, i riu shqiptar bie...

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik armësh, i riu shqiptar bie në prangat e policisë Kolumbiane

9
0

Admir Tutaj është arrestuar në Kolumbi me qëllim ekstradimi ne Shqipëri. Gjithashtu 25-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik armësh. Tutaj në prill të këtij viti tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak.

Njoftimi:

Policia e Shtetit/Vijon intensivisht, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, operacioni “Para drejtësisë”. Pjesëtar i një grupi kriminal, i cili në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak, kapet në Kolumbi, 25-vjeçari.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A. T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Më datë 10.04.2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A. T. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.