Ballina Sport Pse të famshmet e kanë fiksim të shkruajnë ditar?

Pse të famshmet e kanë fiksim të shkruajnë ditar?

0
14

Rishtazi, Bella Hadid u shpreh se çdo natë shkruan në një ditar për gjërat që është mirënjohëse. E në fakt, shkrimi në ditar është një praktikë e njohur për shumë të famshme, ndër to, edhe Dua Lipa

“Shkruaj në ditar çdo natë. Zakonisht, shkruaj një faqe të tërë për gjërat për të cilat jam mirënjohëse. Nuk dua thjesht të shkruaj: “Jam shumë mirënjohëse për këtë ditë”; por jam specifike”, u shpreh ajo, duke nënkuptuar se shkruan me detaje për ndjesitë e saj.

Ajo tha se së bashku me të dashurin, e mbyllin natën me një lutje. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jesh mirënjohëse dhe të mbash mend se sa me fat je çdo ditë. Kur kalon ditën dhe ndihesh keq, ti harron për çmenduritë që po ndodhin në botë sepse jeton në flluskën tënde dhe nuk e kupton se sa me fat je”, vijoi Bella në një intervistë për Bustle.

Por, edhe Dua Lipa, në një intervistë për “Jimmy Kimmel Live!” tregoi se për albumin e ri, ka shkruar plot 97 këngë. Praktikisht, ajo u frymëzua, mori një bllok dhe shprehu kreativitetin e saj.
29-vjeçarja tregoi se i pëlqen të shkruajë në bllok shënimesh, për të planifikuar ditën ose për të krijuar këngë të reja. Ajo tha se kur nisi të punonte për albumin e ri, vendosi të merrte një bllok.

“Nisa të shkruaja për këtë album që në vitin 2021 dhe doja të shkruaja idetë e mia. Kështu që, shkova dhe bleva një bllok shënimesh çfarëdo. Mbase duhet të kisha blerë ndonjë tjetër, më elegant”, tha këngëtarja, duke shtuar se blloku tanimë është shumë i rëndësishëm për të.

Ajo tregoi dhe bllokun në fjalë dhe tha: “Këtu kam shkruar çdo këngë për albumin. Kam shkruar 97 këngë”, duke shtuar se ndonjëherë tmerrohet nga ideja se mund t’ia vjedhin bllokun e shënimeve, por sërish i qëndron metodës së saj: Të shkruajë me shkrim dore në bllokun e shënimeve. “Kur nisa, thjesht nuk mund të ndaloja dhe tani ndihem me shumë fat që e kam”.

Nisur nga të famshmet, pse duhet të shkruash në një ditar?

Dokumentimi i ndjesive dhe eksperiencave të tua ditore është i rëndësishëm, pasi së pari, mund të shohësh vazhdimësinë e gjërave që ti bën në jetën tënde, në rast se do të shtosh/përmirësosh diçka.

Menaxhon ankthin dhe zvogëlon stresin

Një studim i kryer në Pensilvani, sugjeron se njerëzit me ankth që shpenzuan thjesht 15 minuta në ditë për të shkruar gjëra pozitive në një ditar, përjetuan zvogëlim të stresit dhe ndjesi më të mira. Kjo, për shkak se shkrimi u lejon njerëzve të përqendrohen në situata dhe emocione pozitive.

Të ndihmon të përballesh me depresionin

Studimet kanë treguar një lidhje mes mirënjohjes dhe niveleve më të ulëta të depresionit. Një mënyrë për të shprehur mirënjohjen është pikërisht shkrimi në ditar dhe kjo praktikë të ndihmon që të shprehësh ndjesitë e tua dhe të kesh një humor më të mirë, citon Anabel.

Shkruan idetë kreative

Të gjithë njerëzit kreativë dhe jo vetëm e dinë se si është çështja: Idetë më të bukura nuk të vijnë gjithnjë në punë, ndaj merr një bllok të vogël dhe një stilolaps, mbaji gjithnjë me vete dhe shkruaje mendimin tënd brilant. Ti do thuash “Pse të mos përdor ‘Notes’ në telefon?”. E drejtë, por shkrimi në bllok shënimesh është më interesant. S’e themi vetëm ne, por edhe Dua!

Ç’mund të shkruash në ditar?

▪ Listo 3 gjëra që do t’i thuash një personi në atë moment.

▪ Listo 3 gjëra që do te vetja.

▪ Bëj një listë me gjërat për të cilat përjeton mirënjohje.

▪ Për çfarë je i/e lumtur në atë moment?

▪ Shkruaj momentin më të bukur nga fëmijëria.

▪ Kujt i beson më shumë dhe pse?

▪ Shkruaj gjërat që të motivojnë.

▪ Shkruaj rreth një traume që të ka lënduar.

▪ Shkruaj për pendesën më të madhe dhe ç’mësime ke nxjerrë prej saj?

▪ Shkruaj për arritjen më të madhe që ke përjetuar në karrierë.

▪ Shkruaj për frikën më të madhe.

▪ Cili është udhëtimi që do të bësh këtë vit?

▪ Si do e përshkruaje veten tek të tjerët?

▪ Ç’të shkakton stres dhe si mund ta bësh më mirë situatën?