Ballina Kulturë Trishtim për familjen, kolegët dhe studentët e Arteve, ndahet nga jeta profesori...

Trishtim për familjen, kolegët dhe studentët e Arteve, ndahet nga jeta profesori dhe kompozitori Edmond Buharaja

10
0

Profesori i Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve, kompozitori dhe muzikologu i njohur Edmond Buharaja nuk jeton më. Ai ka ndërruar jetë këtë të enjte, duke lënë pas trishtim të madh, te familja, miqtë e kolegët e shumtë që bëri gjatë jetës, dhe studentët e Arteve.

“Ishte shpejt për ty i dashur Edi, shumë shpejt, tē shkoje matanë, në atë botën që nuk është as tonale, as atonale, por që është thjesht bota pa tinguj, që ti i njihje më mirē se gjithkush”, shkruan profesori dhe akademiku Vasil Tole.

“Iku befas, si heshtja qē vjen pas akordit të fundit vertikal që mbyll me një goditje të vetme tragjike kohët e simfonive.”

Edmond Buharaja studioi kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve nën drejtimin e dajës së tij, kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi. Në filim të viteve 1990, mori pjesë së bashku me një grup kompozitorësh të rinj në aktivitetet e para që synonin një realitet pluralist muzikor në Shqipëri.

“Metamorfoza e kristalit”, vepra e tij e shkruar në ato vite, solli një muzikë që qëndronte mbi tekstura dhe struktura formale pa censurë, si shprehje e lirisë krijuese. Punoi për shumë vite në Itali, me shtëpinë e tij botuese “ACUSTICA”, që e ngriti me sakrifica në qytetin e Leçes. Itali.

Kompozitori Edmond Buharaja u kthye pas shumë vitesh në Shqipëri si pedagog në Universitetin e Arteve, duke futur në programet shkollore lëndë të tilla të domosdoshme si Semiotika e muzikës. Vijoi mësimdhënien dhe aktivitetin muzikologjik edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2016, mbrojti doktoratën në muzikë me temën “Historiografia e shprehjes muzikore në Shqipëri dhe diasporë: Nga prania njerëzore në tokën shqiptare deri në shek. XVI”, një punim sfidues dhe pionier në këtë temë. Profesor Buharaja nuk i ndali botimet. Një ndër to kushtuar “NIKETËS SË RAMESIANËS”, kompozitorit arbër të liturgjisë, i cili u botua nga Akademia e Shkencave etj.

Paralelisht shkruante muzikë dhe drejtonte edhe studentë në kompozim dhe merrte pjesë aktive në tribunat kushtuar muzikës në Shqipëri dhe jashtë saj. Profesor Edmond Buharaja së fundi ishte emëruar si shef i Departamentit të Kompozicionit, Muzikologjisë dhe Dirizhimit në Fakultetin e Muzikës, në Universitetin e Arteve.