Ballina Ekonomia Reshjet e dendura në verilindje nuk ndikojnë te situata hidrike, liqeni i...

Reshjet e dendura në verilindje nuk ndikojnë te situata hidrike, liqeni i Fierzës nën 280 m

8
0

Prej orëve të mbërmjes, verilindja e Shqipërisë është përfshirë nga kushte të këqija të motit, me reshje të dendura shiu, por edhe temperatura që kanë zbritur disa gradë krahasuar me 24 orët e shkuara.

Këto kanë shkaktuar problematika në disa akse rrugore, ku ka pasur shkarje të inerteve dhe gurëve në rrugë.

Gjatë reshjeve, problemet më të shumta krijohen në rrugët Kukës-Shishtavec dhe Kukës-Valbonë si pasojë e shkarjeve të gurëve dhe inerteve nga skarpatat anësore. Kjo për shkak të formacioneve të paqëndrueshme që ndodhen në disa segmente përgjatë tyre.

Kompanitë sipërmarrëse nisën punën në terren për të rivendosur qarkullimin normal të mjeteve.

Problematika ka edhe në rrugët rurale për shkak e gropave që krijohen dhe pellgjeve me ujë.

Banorët shpresojnë që të vihet dorë në këto rrugë ku në fakt për rrugën “Topoja Breki”, Bashkia e Kukësit tashmë ka nisur procedurat për rikonstruksionin e saj dhe shtrimin me asfakt, ndërsa në njësinë administrative Zapod, rruga Kerstec-Pakisht-Zapod prej kohësh ka nisur së ndërtuari nga qeveria e Kosovës, por kërkohet përfshirja në investime edhe për rrugën e Orgjostit.

Me gjithë reshjet intensive për disa orë ato nuk kanë ndikuar në përmirësimin e situatës hidrike.

Aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka zbritur nën 280 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet më pak se 40 metër kub ujë në sekondë.