Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump tha sot se ishte “shumë vonë” për të mbajtur një tjetër debat presidencial pasi amerikanët kanë filluar të votojnë për zgjedhjet 2024.
“Problemi me një debat tjetër është se është shumë vonë, votimi tashmë ka filluar”, tha Trump në një tubim sot në Wilmington të shtetit Karolina e Veriut.
Trump shtoi, duke iu referuar zëvendëspresidentes Kamala Harris: “Tani ajo dëshiron të bëjë një debat para zgjedhjeve me CNN sepse po humb keq”.
Harris tha më herët sot se ajo kishte pranuar një ftesë nga televizioni CNN për të marrë pjesë në një debat më 23 tetor.
Fushata e Trump përsëriti komentet e mëparshme të ish-presidentit se ai nuk do të merrte pjesë në një debat tjetër.
Harris, kandidatja demokrate për presidente dhe kandidati republikan, ish-presidenti Trump, zhvilluan debatin e tyre të parë më 10 shtator. Më pas, Trump tha se nuk do të merrte pjesë në një debat tjetër me rivalen demokrate Kamala Harris përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Nuk do të ketë asnjë debat të tretë”, shkroi Trump në rrjetin e tij “Truth Social”, pasi mori pjesë në një debat kundër presidentit Joe Biden në qershor.
Ndryshe, votimi i gjerë i hershëm për zgjedhjet presidenciale filloi të premten në Minesota, Dakota e Jugut dhe Virxhinia, ndërkohë që të dy kandidatët vazhdojnë të shkojnë në fushata ndërsa dita e zgjedhjeve po afrohet.