Ballina Politika “Korrupsioni” tek ‘Partizani’, SPAK “i vë kapak” hetimit, thërret Berishën e Malltezin

“Korrupsioni” tek ‘Partizani’, SPAK “i vë kapak” hetimit, thërret Berishën e Malltezin

7
0

Dy javë pasi mbërriti në SPAK për t’u njohur me akuzën zyrtare të ngritur ndaj tij, ish-kryeministri, Sali Berisha, ka një tjetër mundësi për t’u përballur me prokurorët që e morën të pandehur për “korrupsion”.

Ish-kryeministri është ftuar këtë të mërkurë, më 25 shtator, në Strukturën e Posaçme për t’i komunikuar përfundimin e hetimit ndaj tij. Në të njëjtën ditë në SPAK është thirrur edhe i bashkëpandehuri i tij, njëkohësisht dhëndri, Jamarbër Malltezi.

Ndryshe nga komunikimi i akuzës, vënia në dijeni për përfundimin e hetimit nuk kërkon domosdoshmërish praninë e të pandehurit.

“Vendimin përfundimtar e merr Berisha dhe Malltezi, por nga diskutimet paraprake me avokatët ata kanë sugjeruar që nuk është e nevojshme pjesëmarrja e tyre në këtë seancë të mbylljes së hetimeve. Megjithatë mund të ketë ndryshim.”

Në rast se ish-kryeministri zgjedh të shkojë në SPAK, ai ka mundësinë për të dhënë shpjegime shtesë për çështjen, por këtë herë, nën statusin e të pandehurit.

“Ajo që ne besojmë dhe rekomandojmë, por kjo mbetet në diskrecionin e z.Berisha, është fakti që të japësh shpjegime para kësaj prokurorie, që mëse10-15 herë a më shumë ka falsifikuar fakte që rezultojnë ndryshe në akte dhe brenda një kohë rreptësisht shumë të ngushtë në lidhje me këtë volum provash, ne e konsiderojmë të padobishme për procesin. Unë personalisht do të preferojë që shpjegimet të jepen në gjykatë, publikisht dhe jo në zyrat e SPAK-ut”, tha avokati i Berishës.

Të hënën SPAK njoftoi përmbylljen e hetimit biznesmenin Fatmir Bektashi, i akuzuar si personi që korruptoi ish-kryeministrin përmes dhëndrit të tij, Malltezi.

Hetimi i dosjes “Partizani” u mbyll nga SPAK me 5 persona të pandehur. Pasi të marrin dijeni për përfundimin e hetimit dhe të marrin aktet në dorëzim, ata kanë 10 ditë kohë për të paraqitur kundërshti.

Më pas, SPAK e dërgon dosjen në gjykatë, ku do t’i nënshtrohet filtrit fundor të hetimit, gjykimit paraprak.