Ballina Dossier Flet komandanti i xhenierëve: Si u vranë 3 ushtarë në Porto Palermo...

Flet komandanti i xhenierëve: Si u vranë 3 ushtarë në Porto Palermo (dhe sa është kostoja e ndërtimit të tunelit të Porto Palermos)

1
0

Gjatë ndërtimit të kompleksit të tuneleve të Porto Palermos humbën jetën disa ushtarë. Oficeri epror, Xhorxhi Koçi në emisionin kushtuar Porto Palermos tregon se dy ushtarë dhe një civil u vranë si pasojë e aksidentit në punë. Ka pasur edhe 5 vdekje të tjera thotë oficeri, por nuk lidhen me punën.

“Ky fortifikim paraqet një kompleks shumë të madh, prej 20 objektesh. Është kompleks i madh sepse edhe mjetet ishin të mëdha. Është punuar me sakrifica të jashtëzakonshme sepse vetë formacioni në të cilin u ndërtua ka qenë shumë i dobët. Këtu punimet janë ndërtuar pa asnjë profil gjeologjik.

Ne nuk e dinim si ishte këtu brenda dhe na kanë ndodhur të papritura të mëdha në atë periudhë. Pavarësisht vështirësive të mëdha që hasëm gjatë ndërtimit të këtij kompleksi të madh, kanë ndodhur vetëm 3 ngjarje me humbje jete. Një ushtar na e ka zënë korrenti, një tjetër e zu shkëmbi i tunelit dhe një punonjësi civil i ra një gur nga lart tunelit edhe gjeti vdekjen.

Nëse do i referohemi evidencave të repartit do të shohim se ka edhe të tjerë të vdekur. Por ato vdekje nuk lidhen me punën. Një ushtar vrau dy shokë dhe i hodhi në det pasi i grabiti. Te një objekt tjetër po brenda këtij kompleksi një ushtar vrau nga pakujdesia shokun e tij. Një ushtar tjetër për arsye të ndryshme vrau veten. Pra janë gjithsej vetëm 8 vdekje”, thotë ai për gazetaren Rudina Xhunga.

Sa është kostoja e ndërtimit të Tunelit të Porto Palermos

Kostoja e ndërtimit të tunelit të Porto Palermos shkon 1.5 miliardë euro. Kështu thanë Bashkim Salillari kryeinxhinieri i punimeve dhe Gëzim Bakiu, projektuesi kryesor i portave të tunelit të Porto Palermos, për DritareTV.

“Kostoja e Porto Palermos sipas arsyetimit tonë, që jemi marrë me këtë zanat edhe më mbrapa, afrohet në 1.5 miliardë euro me të tanishmet. Këtu përfshijmë edhe pagesën e punëtorëve se ushtarët në atë kohë punonin pa paguar. Por nuk kemi gjë të përcaktuar se në atë kohë çdo gjë e kishte shteti.”, tha inxhinier Salillari.

Ndërsa projektuesi i dy portave të tunelit tregon për gazetaren Rudina Xhunga nëse kjo kryevepër inxhinierike është produkt kinez apo shqiptar.

“Projekti i Porto Palermos është bërë fillimisht nga kinezët në 1973-shin për të strehuar silurusët e pastaj raketat. Betonimet e mëdha janë bërë sipas projektimeve të kinezeve të financuara tërësisht nga Kina. Ata morën përsipër realizmin e projektit, zbatimin, pajisjet dhe koston e objektit.

Por pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, u ndryshua projekti. Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu vendosën që ky objekt të transformohej në strehimin e nëndetëseve që e kishin bazën në Pashaliman, ishin në det të hapur dhe të pambrojtura. Ne përshtatëm këtë objekt sipas kërkesave të nëndetëseve. E çuam thellësinë e tunelit nga 2.5 në 6.5 metra. Ndërsa pjesa më e vështirë ishte puna me dyert. Bëmë dyer të reja, portën e jugut e ndamë më dysh, pjesa mbi ujë dhe nën ujë që shkon deri në 9 metra”, tha ai.