Ballina Politika Tango dyshe e politikës. Historia e partisë që rrëzoi komunizmin dhe u...

Tango dyshe e politikës. Historia e partisë që rrëzoi komunizmin dhe u nda treshë me zjarr, rrahje dhe tradhti brenda vetes, në dy vite, nga komunistët

10
0

Nga Avokat Rezart Kthupi

Në ditët e para të tetorit të vitit 2023 opozita e Sali Berishës, e sapobashkuar në diversitet me grupimin e Gazment Bardhit shpalli radikalizimin e saj në parlament. Kauza e këtij radikalizimi ishte asokohe shkelja e të drejtave kushtuese të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare.  Radikalizimi u shfaq në formën e tymuese e flakandanëve, bilbilave e djegies së padëshiruar të karrigeve. Ndërkohë që kjo pjesë e opozitës radikalizohej në Kuvend, maxhoranca e lumtur socialiste ndryshoi ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të tyre në të ardhmen; ndryshoi Rregulloren e Brendshme të Parlamentit duke rritur në absurd dënimet për deputetët; dhe kaloi për 2 apo 3 minuta çdo ligj të mundshëm përfshirë edhe ligjin për buxhetin e shtetit. Asnjë qytetar i Republikës nuk arriti të mësonte se si paratë e tij, ato që rëndom i quajmë si buxheti i shtetit, do të shpenzoheshin për vitin 2024 nga një qeveri e cila ka qënë dhe mbetet thelbësisht e korruptuar.

Panorama vijoi e pandryshuar deri në shkurt të vitit 2024, kohë në të cilën opozita filloi të kërkonte një rrugëdalje nga rruga qorre ku e kishte futur veten e faktori ndërkombëtar u lodh duke parë skena dhune politike të cilët ishin në dëm të interesave të qytetarëve. Zgjidhja u gjet e thjeshtë. Opozita e radikalizuar “harroi” se kishte kërkuar 8 Komisione Hetimore Parlamentare dhe zgjodhi të ngrinte vetëm 2 prej tyre kurse Maxhoranca u kujtua që ishin disa të dënuar për korrupsion të cilëve mund t’u hidhte një litar shpëtimi e t’i nxirrte nga vendet ku i kishte mbyllur drejtësia. Nën përbetimet e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, mbështetur fuqishëm nga Gazment Bardhi, asokohe i sapopranuari nga Lindita Nikolla si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, se nga Amnistia Penale nuk do të përfitonte asnjë i korruptuar i dënuar nga SPAK dhe GJKKO u miratuar me 106 vota, nën harenë e paqes parlamentare, ligji për amnistinë. Faktet provuan që jo pak por të paktën 100 të dënuar për korrupsion i shpëtuan pjesës së mbetur të dënimit. Paqja parlamentare kërkon kurban e kush mund të ishte kurban më i mirë se sa drejtësia dhe vendimet e saj kundër të korruptuarve.

Ndërkohë që Rithemelimi, nëpërmjet kryetarit Berisha u bërtiste të gjithëve se SPAK e GJKKO në veçanti dhe i gjithë sistemin e drejtësisë në përgjithësi ishte një organizatë politiko – kriminale e drejtuar dhe kontrolluar nga Edi Rama, Gjykata e Apelit e njihte më 11 qershor Komisionin e Rithemelimit si Kryetarin juridik të Partisë Demokratike. E ndërkohë që sistemi i drejtësisë “i kontrolluar nga Edi Rama” nga njëra anë shtrëngonte darën e hetimit penal për çështjen “Partizani” e nga ana tjetër i jepte “vulën” e Partisë Demokratike, në zyrat e Parlamentit i ashtuquajturi “Grupi i Dialogut” punonte ethshëm për hartimin e një reforme zgjedhore që do të habiste mbarëkënd.

Akti final i paqes parlamentare u shpalos në të gjithë madhështinë e tij natën e 26 Korrikut kur gjatë seancës plenare të Kuvendit u mor në shqyrtim drafti i propozuar për gjysëm nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Damian Gjiknuri mbrojti të dy gjysmat e propozimeve me aftësinë e teknicienit të mirëfilltë. Nga njëra anë me gjakftohtësi mbrojti propozimet e Partisë Socialiste për votën e diasporës duke i shitur si interes i qytetarëve e nga ana tjetër mbrojti me shumë emocion propozimet e Partisë Demokratike për mbylljen e listave si interes i partive politike. Partia Demokratike mund të kërkonte të përfshiheshin në të gjitha çështjet që ishin ngitur nga vetë ajo për vjedhjen e zgjedhjeve, nga OSBE/ODHIR, nga partitë e tjera politike dhe nga organizmat e shoqërisë civile por jo, u mjaftua vetëm me mbylljen e listave të kandidatëve për deputetë. Paqja u mbyll me votimin me 106 vota të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e bashke me paqen u mbyll edhe sesioni parlamentar e 106 deputetët që u shërbyen kryetarëve të partive të tyre iu drejtuan pushimeve në pritje të urdhrave të rinj.

Paqja nuk shërbente më e zgjedhjet po afrohen. Në një funksionim normal të parlamentit dhe jetës politike Kryeministri Rama do duhej të jepte llogari përpara qytetarëve për korrupsionin që ka përfshirë çdo hallkë të qeverisjes së tij, për numrin gjithnjë në rritje të bashkëpunëtorëve që ja ka rrëmbyer drejtësia, për tunelin e Llogarasë, për Inceneratorët, për çdo vjedhje tjetër që u bën çdo ditë xhepave të shqiptarëve. Në një situatë normale Partia Demokratike do duhet të mbarte peshën e kryetarit të saj të shpallur minues të demokracisë e të hetuar për korrupsion, të tregonte paaftësinë e saj për t’u ngritur në nivelin e alternativës e për të kryer atë që është funksioni i çdo partie politike në opozitë me pushtetin, kontrollin dhe kufizimin e këtij të fundit. Prandaj paqja duhet zëvendësuar sërish me luftën e për luftë të re duhet një kauzë e re, e cila nuk mungoi të vinte.

Drejtësia e “kapur” nga Edi Rama dënoi edhe në shkallë të dytë deputetin Salianji e ky dënim “politik” ishte kauza më e drejtë që opozita mund të rrokte për radikalizimin e saj dhe luftën, pa kthim tashmë, për të drejtat dhe liritë kushtetuese të dhunuara nga regjimi i Edi Ramës. (Behet fjalë për të njëjtin “regjim” me të cilin Partia Demokratike nuk hezitoi të bashkonte votat për të mbylluar listët e deputetëve). Kryeministri Rama, si një mbrojtës i flaktë i parimeve të drejtësisë nxitoi t’i hidhte benzinë flakëzës së protestës opozitare duke shkruar gjatë e gjërë për drejtësinë e vendimit të gjykatës e duke anatemuar të gjithë ata që i kujtojnë publikisht mëkatet e tij e të qeverisë që ai drejton.

Shkakun e gjetëm. Tani le të fillojë lufta.

Deputetët revolucionarë, të një partie të pretenduar të djathtë, vendosën t’u vënë flakën karrigeve të tyre në kërkim të pazarit të qeverisë teknike të veshur me vellon e luftës për kolegun e tyre të burgosur politikisht. Flaka ishtë një rast për të mos u humbur për thellimin e radikalizimit të jetës politike. Me rregulloren e miratuar gjatë luftës së parë parlamentare të vitit 2023, Partia Socialiste vendosi të tregonte rreptësinë e saj në zbatimin e ligjit duke përjashtuar nga punimet e Kuvendit plot 20 deputetë, për më shumë se 1 muaj e ca pak të tjerë për 2 muaj. Lufta u vulos e tani nuk ka më kthim pas.

Nëse do të kthejmë vështrimin pas do të shikojmë që nga gjithçka ka ndodhur kanë përfituar gjithnjë dy dhe vetëm dy palë, Edi Rama dhe vasalët e tij dhe Sali Berisha dhe shpura e tij. Bashkëpunimi në parlament ndërmjet pakicës dhe shumicës do duhet të ishte sjellja më normale, gjithnjë nëse ky bashkëpunim do të ishtë në zbatim të programeve politike të partive apo interesave të qytetarëve. Nuk është ky rasti i parlamentit të Shqipërisë. Bashkëqeverisja politike ndërmejt Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e formalizuar nga numri prej 106 votash në parlament u ndërtuar dhe u përdor vetëm për interesat e këtyre dy partive. Në të dy votimet u shkel interesi qytetar në favor të interesave partiakë, apo akoma më keq në favor të interesave të kryetarëve të partive dhe nevojës së tyre për të mbajtur rreptësisht në kontroll deputetët dhe partitë.

Ata janë bashkë, ata janë një, e fshati që duke nuk do kallauz thotë populli.

Të humburit e mëdhenj të kësaj tangoje të shëmtuar politike janë qytetarët shqiptarë. Interesat e tyre do të shiten në tregun e gjësë së gjallë të politikës.

Askush nuk do flasë më për 1001 mëkatet e qeverisë dhe kryeministrit tonë që një ditë shpërndan legalizime e ditën tjetër legalizon një shtet të ri të islamit tolerant në bahçen e tij të quajtur Shqipëri; që një ditë jep me koncesion fushat e ditën tjetër nxjerr në shitje malet, që një ditë premton rritjen e pensioneve e ditën tjetër u jep pensionistëve 4 bukë në muaj.

Askush nuk do të shohë që kryetari i partisë demokratike është një subjekt i SPAK dhe i GJKKO, që vetë partia që ai drejton është kthyer në një mburojë të tijën personale e që çdo veprim ka për qëllim vetëm garantimin e ekzistencës dhe cilësisë së mburojës së ndërtuar me trupat e deputetëve revolucionarë.

Askush nuk do të flasë për alternativat që i nevojiten qytetarëve për të përmirësuar jetën e tyre, për të ndalur ikjen e të rinjve e jo dhe aq të rinjve, për të rritur cilësinë e arsimit, për të zgjidhur problemin e pronave, për rritjen e pensioneve, për funksionimin e bujqësisë dhe turizmit, për lirinë e tregut dhe për nevojën uluritëse të ndërtimit të një ekonomie funksionale që prodhon mirëqenie e vende pune për shqiptarët e jo vetëm për të zgjedhurit e kryeministrit.

Është koha për të ndryshuar, është koha për një rrugë të re, është koha për të dalë nga rrethi i luftës në të cilin ka më shumë se 6 vjet që është futur politika shqiptare e për të ndërtuar politikën e qytetarëve./ Gazeta Bulevard