Ballina Politika Bashkia Shijak përfundon dosjet për proçesin e legalizimeve. Kryebashkiaku Arbana: Nuk kam...

Bashkia Shijak përfundon dosjet për proçesin e legalizimeve. Kryebashkiaku Arbana: Nuk kam pritur të plotësohen kushtet ideale për të nisur punën, por në rrethanat, mundësitë dhe kapacitetet që kishim

0
4

Pas sfidës së tërmetit, ku bashkia e Shijakut mbylli e para procesin e rindërtimit, një tjetër sukses shenjon punën e kryebashkiakut Arbana dhe stafit të tij.

Pas vendimit të kryeministrit Edi Rama, në korrik të këtij viti, për përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimit, në bashkinë e Shijakut u ngritën menjëherë grupet e punës, duke trokitur në çdo familje që ka banesën ende të palegalizuar.

Bashkia e Shijakut i përshpejtoi procedurat për nisjen e procesit në terren duke shfrytëzuar periudhën e verës kur kthehen dhe emigrantët.

Gjatë kësaj periudhe janë kryer 10,500 inspektime, ku janë konstatuar dhe përgatitur dosjet për afro 2065 banesa informale të ndërtuara gjatë dy dekadave të fundit.

Në një takim të mbajtur nga Ministri Arbjan Mazniku, ku ishte i pranishëm kryetari i bashkisë Shijak dhe kryebashkiakë të tjerë mbi fuqizimin e lidershipit lokal, procesin e legalizimeve dhe përgjegjësinë që kanë bashkitë për të çuar përpara punën për këtë proces, në fjalën që mbajti z. Arbana u shpreh:

“Jam i nderuar që jam pjesë e këtij paneli për të ndarë sfidat tona të përditshme dhe fuqizimin e lidershipit lokal, në mënyrë që t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve tanë.

Pushteti vendor ka një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e një qeverisjeje të përgjegjshme.

Çdo rrugë, sado e gjatë të jetë, fillon me një hap të vetëm. Unë nuk kam pasur frikë të hedh hapin e parë edhe pse e kam ditur që duhet bërë një punë intensive deri në arritjen e qëllimit përfundimtar.

Tre muaj pasi mora detyrën si kryetar i bashkisë Shijak fati na përballi me një sfidë të madhe siç ishte ajo e tërmetit.

Asnjë fjalë e shkruar, asnjë lutje nën zë, nuk mund të ndikonte te pjesëtarët e stafit, te të rinjtë, te vullnetarët në mënyrën se si duhet të përballojmë sfida të tilla, më shumë sesa FORCA E SHEMBULLIT.

Kam drejtuar ekipin duke dhënë shembullin tim personal, duke i qëndruar në kokë punëve hap pas hapi, pa parë orën apo kalendarin nëse është e dielë, apo ora 11 e natës.

Kam investuar gjithë kohën, vëmendjen, energjinë time për të bërë më të mirën për Shijakun.

Ky ka qënë dhe është thelbi i vizionit tim, që modestisht them, se puna ka treguar që ka rezultuar i suksesshëm.

Për mua forca më e madhe për të punuar është DASHURIA që kam për Shijakun dhe MBËSHTETJA që na ka dhënë Kryeministrit Rama, sepse asnjëherë nuk mund të realizosh i vetëm punë të mëdha që lënë gjurmë për një kohë shumë të gjatë.

Mënyra sesi e menaxhuam situatën pas tërmetit na siguroi një përvojë të mirë dhe të vlefshme që na shërbeu dhe në vazhdim.

Ne u shtrimë në terren me grupet e punës të udhëhequr nga inxhinierë, për të plotësuar dosjet e çdo banese të dëmtuar që të përfundonte sa më parë rindërtimi. Bashkia e Shijakut u bë bashkia e parë që mbylli me sukses rindërtimin.

Pas takimit të përbashkët me Kryeministrin Rama, ministrin Mazniku dhe kolegët kryebashkiakë, me të njëjtën përgjegjësi, me të njëjtin ritëm pune dhe rezultat pozitiv morëm përsipër procesin e legalizimeve dhe gjithë punën që i takon bashkisë.

Për të qenë i sinqertë, burimet njerëzore në bashki nuk i kishim të shumta në numër, por mu desh të bëja një skemë, se si duhet të punonim duke ndarë grupet e punës dhe duke bërë thirrje për vullnetarë.

Nuk kam pritur të plotësohen kushtet ideale për të nisur punën, por në rrethanat, mundësitë dhe kapacitetet që kishim kemi rritur përgjegjësinë e ekipit.

Duke kuptuar këtë, është krijuar mjedisi i duhur, ku me mundësi të vogla kemi bërë arritje të mëdha.

Edhe kur nuk i kemi pasur mundësitë aq sa duhet, i kemi krijuar për të gjetur zgjidhje që punët t’i çonim deri në fund.

Me 22 korrik bëra mbledhje me administratën e bashkisë, mbledhje të cilën e shoqërova me thirrjen: “Forca çuna dhe goca! Kush është i gatshëm të vijë në terren me mua?

Më pas nxorra një njoftim në rrjetet sociale si thirrje për vullnetarë, për t’ju bashkuar stafit të bashkisë për punën në terren gjatë procesit të plotësimit të dosjeve të legalizimeve. Disa prej tyre ishin të parët që na janë bashkuar, me dëshirën për të dhënë kontributin e vet dhe për të punuar me ne.

Kemi punuar intensivisht gjatë muajit gusht, ku së bashku me grupet e punës dhe vullnetarët kemi trokitur në çdo familje për të gjurmuar banesat e palegalizuara duke i përgatitur falas GentPlanin.

Tani puna është gati për tu shqyrtuar nga ASHK-ja. Shpresoj që sa më shpejt banorët që kanë vite që presin të marrin certifikatën e pronësisë të banesës së tyre.

Ajo që më gëzon më shumë është se me rezultatet e punës tonë me rindërtimin, me legalizimet dhe çdo gjë tjetër kthyem shpresën te shijakasit. Duke punuar pa u ndalur mund ta zhvillojmë më tej qytetin tonë.

Dua ta mbyll me një thënie nga Presidenti Roosevelt: “Do what you can, with what you have, where you are: Bëj atë që mundesh, me atë që ke, aty ku je”./Bazeta bulevard