Ballina Politika Agron Duka: Nuk ka zgjedhje të lira kur ke përballë jo një...

Agron Duka: Nuk ka zgjedhje të lira kur ke përballë jo një parti, por një qeveri, 60 bashki dhe një shtet të tërë

0
3

Z.Duka marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës kanë hyrë në një fazë më agresive. Si e vlerësoni ju këtë kurs të ri politik?

Tani, ju e dini që unë si njeri dhe politikan nuk i kam qejf as zjarrin, as gurët dhe nuk i kam parë kurrë këto si mjete me të cilat bëhet politikë. Por opozita është në një pozitë të vështirë. Drejtësia nuk mundi ta vërtetonte se deputeti Salianji kishte shkelur ligjin me atë që kishte bërë. Është një histori e gjatë, por që në fund përmblidhet me tri fjalë: Ai denoncoi një njeri që shkoi në burg.

Por kursi i ri i opozitës nuk lidhet vetëm me Salianjin, besoj. Ky është pasojë e shumë faktorëve të tjerë, dhe kryesisht i kushteve aspak të barabarta të garës politike mes mazhorancës dhe opozitës, duke filluar nga Ligji Zgjedhor, tek përdorimi zyrtar i shtetit dhe administratës qendrore e lokale, si mekanizma në shërbim të fushatës së qeverisë.

Ju e mbështesni këtë kurs?

Po, edhe unë këtu jetoj, nuk ka rëndësi nëse jam pjesë e opozitës apo jo, nëse kandidoj për deputet apo jo. Unë shikoj, si shumë të tjerë, që janë ngushtuar hapësirat në mënyrë të frikshme. Reagimi i kryeministrit pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Salianjin ishte vërtet i frikshëm: Gjyq për të gjithë, deputetë, gazetarë, media; kushdo që denoncon (sipas tij shpif), do të shkojë në gjyq. Unë siç e thashë, nuk jam njeri që hedh shishe me benzinë, por unë mendoj se duhet reaguar për t’iu kundërvënë kësaj situate.

Mendoni se qeveria mund të rrëzohet me dhunë?

Unë nuk mendoj se qeveria rrëzohet me dhunë dhe as pushteti merret me dhunë. Jemi në vitin 2024, jemi vend anëtar i NATO-s, jemi vend kandidat për në BE. Pushteti nuk mund të merret me dhunë, por protestat janë elementë demokratikë të ushtrimit të presionit mbi mazhorancat. Janë bërë protesta të dhunshme në çdo vend të botës. Nuk prishet imazhi i një vendi nga protestat por nga shkalla e lartë e korrupsionit.

Ku mendoni se duhet të shkojë kjo rrugë, çfarë duhet të arrijë?

Siç e thashë, unë nuk besoj tek ndërrimi i pushteteve me dhunë, por tek krijimi i kushteve për garë të barabartë elektorale. Në këto kushte besoj se zgjidhja është modeli maqedonas, me qeveri teknike para zgjedhjeve. Nuk mund të garojmë ne në fushatë, kur unë nuk marr dot lekët që më takojnë me ligj, 35 mijë Euro, ndërsa ministrat dhe deputetët e PS-së bredhin poshtë e lart, bëjnë fushatë me paratë e buxhetit të shtetit. Ata kanë buxhetin e shtetit në shërbim të fushatës, kanë mediat të gjitha në rresht, kanë paratë e oligarkëve që ua trefishojnë kostot e projekteve pa dhënë asnjë shpjegim, ndërsa aktivistët e opozitës duhet të shkojnë në takime me qytetarët me autobuz. Ndaj mendoj se qeveria teknike është zgjidhja e vetme e këtij ngërçi të madh.

Shumë njerëz mendojnë se opozita nuk ka shumë mbështetës në këtë kurs të ri, pikërisht sepse Sali Berisha është kandidati për kryeministër. Sa e pengon kjo opozitën?

Së pari, mendoj se nuk është Sali Berisha sot problemi i shqiptarëve. Mirë do kishte qenë që Berisha, unë e ca të tjerë të brezit tonë të ishim larguar, pasi vendi ka plot djem e vajza të aftë për t’u marrë me këtë punë. Por sërish them se nuk është ky problemi. Problemi është se vendi po rrëshket në autoritarizëm absolut. E kuptoni ku jemi? Kemi një qeveri dhe një kryeministër që sillet si mbretërit e mesjetës, që vendos vetë dhe vetëm për çdo gjë. Nuk është çudi që ndonjë ditë t’i shkrepet t’i ndërrojë emrin Shqipërisë, apo t’i ndryshojë emrat e ditëve si një president andej nga Azia që i vuri emrat e fëmijëve të tij ditëve të javës.

I duhet njërit një gji në bregdet, bëhet një ligj i posaçëm dhe i jepet ai gjiri. I duhet njërit një koncension me çmime marramendëse, parlamenti e voton dhe ia jep. Tjerit i dhuron ishullin e Sazanit. Edhe në shtëpi, sado i fortë të jetë një burrë, nuk i merr vendimet pa pyetur gruan dhe fëmijët. A ka institucione ky vend apo jo?

Megjithatë, si duhet të jetë qeveria e ardhshme, nëse opozita do ta arrijë të fitojë?

Sa herë ndërrohet pushteti, kemi dëgjuar shprehjet: “Ne jemi ndryshe”, “Ne qeverisim ndryshe”, madje dikush tha edhe se “ne do të vjedhim ndryshe”. Megjithatë unë mendoj se vendi nuk ka nevojë sot për të ndërruar qeveritë, por për të ndryshuar me themel.

Duhet të çlirohet drejtësia nga diktati politik!

Duhet të çlirohet media nga kontrolli politik!

Duhet të çlirohet ekonomia nga kontrolli oligarkik dhe të funksionojë gara në prokurime.

Duhet të luftohet korrupsioni nga vetë institucionet, të mos ecet me parimin, “po të kapi SPAK-u, dili zot vetes”.

Një qeveri e re nuk mund të vijë e të ecë mbi të njëjtat parime administrative e ligjore që kanë prodhuar dhe mbështetur korrupsionin deri tani.

Z.Duka ku dhe si do të garojë PAA në zgjedhje?

Ne do të bëjmë më të mirën për opozitën dhe për vendin. Dhe kjo e mirë sot është që vota opozitare të mos ndahet në 5 pjesë. Socialistët kanë menduar mirë edhe për këtë, duke financuar parti një përdorimshme, për të tërhequr vota anti-qeveritare që nuk prodhojnë asgjë, thjesht për t’i shkarkuar.

Nëse do të merrni një ftesë nga PS, do të bashkoheni me ta në zgjedhje?

Për këtë temë flasim nëse do të ketë vërtet një ftesë. Nuk më pëlqen të flas me “nëse”. Por ne si PAA jemi një parti e gjelbër. Ne kemi ca parime tonat që i kemi themelore në marrëveshjet e bashkëpunimit. Ne kemi një program për mjedisin dhe për bujqësinë. Kam bërë sa kam mundur me mundësinë që më ka dhënë qënia ime në parlament për të folur për këto fusha. Shikoni publikimet tona në rrjetet sociale: I referohemi fshatarëve, shtresës më të vuajtur dhe më kontribuuese në ekonomi, i referohemi mjedisit, si fusha më e diskriminuar dhe më problematike që kemi. Në kurriz të këtyre kauzave ne nuk bëjmë kompromise, pasi për këtë ekzistojmë si parti. Të tjerat janë pjesë e politikës, nuk i kemi shpikur dhe as do t’i konservojmë ne./Gazeta bulevard