Ballina Bota E rëndë në Haiti, grupi i armatosur hap zjarr drejt civilëve, vriten...

E rëndë në Haiti, grupi i armatosur hap zjarr drejt civilëve, vriten 70 persona

20
0

Burra të armatosur që i përkisnin bandës Gran Grif vranë të paktën 70 njerëz, duke përfshirë tre foshnja, teksa kalonin nëpër një qytet të Haitit duke qëlluar me armë automatike ndaj banorëve, tha një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara nga Zyra për të Drejtat e Njeriut.

“Ne jemi të tmerruar nga sulmet e bandave të së enjtes në qytetin Pont-Sonde në departamentin Artibonite të Haitit,” tha zëdhënësi Thameen Al-Kheetan në një deklaratë.

Të paktën 16 persona të tjerë u plagosën rëndë në sulmin në orët e para të së enjtes, duke përfshirë dy anëtarë të bandës të goditur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë Haitiane, sipas OKB-së. Anëtarët e bandës thuhet se i vunë flakën të paktën 45 shtëpive dhe 34 automjeteve, duke i detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ky krim i urryer kundër grave, burrave dhe fëmijëve të pambrojtur nuk është vetëm një sulm kundër viktimave, por kundër të gjithë kombit Haitian,” tha kryeministri Garry Conille në X.

Në një mesazh audio të shpërndarë në mediat sociale të enjten, udhëheqësi i Gran Grif, Luckson Elan, i cili u sanksionua nga OKB muajin e kaluar, fajësoi shtetin dhe viktimat për sulmet, duke akuzuar banorët se mbetën pasivë ndërsa ushtarët e tij u vranë nga policia.