Ballina Politika Igli Cara: Pse nuk pranojnë Rama dhe Sako të zbardhet e vërteta...

Igli Cara: Pse nuk pranojnë Rama dhe Sako të zbardhet e vërteta se ku kanë shkuar miliona euro të shpërdoruara në emër të Rindërtimit?!

0
6

Zoti Cara, si një ish deputet i qarkut të Durrësit, pa anashkaluar funksionet e rëndësishme ndër vite, cilat janë problematikat kryesore në këndvështrimin tuaj dhe si do ta përshkruanit qytetin e më shumë se 10 viteve të fundit?

Në.fillim dua t’ju falenderoj për mundësinë, për të ndarë shqetësimet e bashkëqytetarëve, por jo vetëm.

Për fat të keq, Durrësi, Shqipëria po bëhen çdo ditë e më të pajetueshëm.

Shqetësimi kryesor, me të cilin përballet secili prej nesh besoj është shpopullimi. Vit pas viti, jo vetëm Durrësi, por çdo qytet, çdo krahinë, çdo fshat, çdo zonë po zbrazet. Më pak nxënës e mësues, më pak studentë, më pak të rinj e të reja, më pak shqiptarë.

Sigurisht, kjo situatë nuk u krijua në një ditë. Përkundrazi, qeveria e Ramës ka ndërtuar një strategji për ta zhbërë Shqipërinë, për ta shpopulluar vendin.

Për bizneset është bërë e pamundur gjetja e fuqisë punëtore. E njëjta gjendje është kudo. Shkolla që po mbyllen se nuk ka nxënës. Në spitale nuk ka ilaçe, madje edhe kur bëhet fjalë për luftën jeta a vdekje. Në bujqësi nuk ka fermerë e blegtorë. Dëshmia më e fundit e kësaj situate të paprecedentë është sezoni turistik, ku numri i turistëve ra ndjeshëm, duke rrëzuar propagandën e Ramës.

Rritja e taksave ka krijuar një reaksion zinxhir të cilën e vuajnë sot familjet shqiptare.

U fol aq shumë për rritjen e pensioneve, që rezultoi një flluskë sapuni.(vetem 20 lek ne dite).Një tallje për moshën e tretë që meriton respekt dhe mirënjohje.

Nga ana tjetër, Durrësi në më shumë se dy dekada ka humbur identitetin.

Pas çdo projekti që prezantohet fshihet vjedhja dhe grabitja e miliona eurove të shqiptarëve.

Madje, kanë shkuar edhe më larg se kaq. Pasi këta e kanë ligjëruar vjedhjen. Po vjedhin me ligj. Rilindja urbane i vodhi Durrësit identitetin. Sikur mos të mjaftonte po shkatërrohet edhe porti më i madh në vend.

Duke u ndalur te projekti i portit, pse nuk e shihni si një investim që do ta shndërrojë qytetin duke gjeneruar të ardhura fitimprurëse për dhjetra e mijëra familje në qytet e më gjerë?

E kam theksuar që në fillim që nuk jam kundër projektit të shndërrimit të portit të Durrësit në një Marinë.Problemi qëndron te mënyra si po veprohet nga Rama & CO.

Vidhet pasuria kombëtare me vlere afer 3 miliar euro dhe i falet Alabbar për të ndërtuar apartamente, që përjashtohet nga çdo detyrim, duke ia ngarkuar durrsakëve.

Mungesa e transparencës dhe ndryshimet e vazhdueshme të pseudoprojektit të Marinës dëshmojnë se kjo është një megaaferë.

Nuk mbaron me kaq , vlera e projektit te Portit te ri do të shkojë 2 miliardë euro gje qe do te paguhen nga buxheti i shqiptareve. Pyetja qe lind eshte :

-Sa vite duhet të kalojnë që të lahet ky investim, për të parë benefitet?

Referuar pasqyrave financuare te vitit kaluar te Portit fitimi eshte 2 milion euro, Pra,  duhet të presim 1000 vite. Qesharake apo jo?!

Pse duhet të falen taksat e durrsakëve për Alabbar?

Ku e gjen të drejtën Rama të vendosë në emër të durrsakëve?

Janë 231 milionë euro taksa(8% taksa infrastruktures 3 % e strehimit)që i dhurohen Alabbar.

Nuk mbaron me kaq .

Janë dhënë 60 milionë euro nga buxheti për reklamën e shitjes se apartamenteve nga buxheti i shqiptareve .

A ka kuptim kjo?

Pse nuk ka garë për Marinën dhe pse ndryshohen vendimet pa u pyetur taksapaguesit?

Gllabëruan portin më të madh në vend, duke u fshehur pas projektit të Marinës Detare, por deri tani ka vetëm apartamente në letër për llogari të grupit Rama – Alabbar & CO.

Asnjë metër katror investim për Marinën Detare.

Miliarda euro pasuri kombëtare të grabitura!

Për interesat e Alabbar po i marrim shpirtin shqiptarëve!

Po proçesi i Rindërtimit mund të cilësohet si një arritje e kësaj qeverie?

Po ju bej une nje pyetje retorike.

A ka përfunduar Rindërtimi në Durrës?

Të gjithë e dimë që jo! A ka një datë kur do të përfundojë?

Përsëri jo!

Mos harrojmë se jemi në të pestin vit pas tërmetit. Rindërtimi u përdor si kalë beteje në zgjedhje nga kjo qeveri dhe ka qenë që në krye të herës një proçes sa korruptiv, aq edhe jo transparent.

Rreth 1 miliardë euro të shpenzuara nga buxheti , pa llogaritur fondet pothuaj po aq nga BE e donacionet dhe pas 5 vitesh ky proçes është në udhëkryq.

Në Durrës, pa asnjë bazë ligjore dhe me arrogancë, shumica e komanduar nga Rama-Sako hodhën poshtë ngritjen e Komisionit Hetimor për Rindërtimin.

Arsyet kuptohen.

Pse nuk pranojnë Rama dhe Sako të zbardhet e vërteta se ku kanë shkuar miliona euro të shpërdoruara në emër të Rindërtimit?!

Llogaridhënia e munguar për proçesin e Rindërtimit është dëshmi se ky proçes i zvarritur në kohë është korruptiv dhe abuziv.

Sigurisht, ne nuk do të ndalemi së kërkuari të vërtetën, pasi bëhet fjalë për vjedhje dhe grabitje të shqiptarëve.

Mjafton të sjell në vëmendje që në bashkinë e Rrogozhinës janë vjedhur mbi 353 milionë lekë (3.6 milionë euro), nga fondet e Rindërtimit.

Nëse kjo shifër prej miliona eurosh rezulton në një bashki të vogël si Rrogozhina,  po ne Durres sa mund te jete abuzimi ?

a na lind e drejta të mendojmë, që këto komisione nuk lejohen pasi do të dilte e vërteta mbi Rindërtimin, si një proçes jo transparent e korruptiv?!

Po përsa i përket menaxhimit të mbetjeve si e shihni Durrësin?

Menaxhimi i mbetjeve në Durrës ka dështuar. Ka një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që e përcakton këtë.

Bashkia Durrës nuk garanton qëndrueshmëri financiare të menaxhimit të mbetjeve.

Hendeku i thellë midis të ardhurave dhe shpenzimeve janë tregues më së paku i papjekurisë së Rama, Sako & Co.

Depozitimi i mbetjeve në Sharrë na kushton 3 herë më shumë se bashkitë e tjera.  Menaxhimi i mbetjeve urbane është zëri që rrëmben përqindjen më të madhe të buxhetit. Kjo nuk ka penguar shumëfishimin e detyrimeve për qytetarët.

Megjithëse, jemi dëshmitarë se taksat janë rritur kjo nuk e ka zgjidhur problematikën.

Shpërdorimi i fondeve publike mbetet kryefjalë në çdo sektor.

Sa e vështirë është të jesh opozitar në këto kushte?

Të thuash të vërtetën ka kosto, në mënyrë të veçantë në klimën e krijuar nga Rama. Për fat të keq, edhe regjimi monist kështu e nisi, duke i vrarë e i burgosur zërat e vërtetë kundër tij, derisa nuk denonconte më askush, pasi e dinte se ç’fund e priste!

Kur burgoset lideri i opozitës, dënohet deputeti pa asnjë shkelje, po qytetarët e

thjeshtë, a mund të gjejnë drejtësi?!

Çuditërisht nuk dënohesh kur grabit pronën publike, vjedh fondet publike, por vetëm nëse cënon Rama & Co!

Për të thënë të vërtetën, nuk mjafton vetëm guximi për të folur, por të duhet të përballesh me regjimin e Ramës, një regjim komunist i moderuar!

Në çdo rast, unë do të vazhdoj të bëj detyrën, jo si opozitar, por si një qytetar i ndershëm dhe i përgjegjshëm që kam vendosur të punoj e  jetoj në këtë Durres , në këtë qytet të bekuar nga Zoti e natyra!/Gazeta bulevard