Ballina Aktualitet “Ne i ndihmojmë, por jo ata të na hedhin hi syve”, Lala...

“Ne i ndihmojmë, por jo ata të na hedhin hi syve”, Lala përplaset ashpër me Hoxhën për mosbindjen civile

18
0

Gazetarët Artan Hoxha dhe Klodiana Lala debatuan ashpër në një program televiziv teksa flisnin për opozitën. Ndërsa Lala u shpreh se është fatkeqësi për vendin nëse nuk ka opozitë, Hoxha tha se është me opozitën, por ajo nuk mund t’u hedhë hi syve duke premtuar se sot do të rrëzonte qeverinë dhe nuk e bëri.

Pjesë nga debati

Klodiana Lala: Është fatkeqësi për vendin nëse nuk ka opozitë, nëse nuk ka lëvizje të shëndosha të shoqërisë civile dhe pushteti mund të shkatërrojë gjithçka. Këtë duhet të diskutojmë. Nëse ne të pestë shajmë opozitën, hajde ta bëjmë. Unë i kam patur përballë eksponentët e opozitës.
Artan Hoxha: Jemi me opozitën. Flasin gjithë muajin kundër qeverisë, kundër maxhorancës. Sot opozita na tha se do të rrëzonte qeverinë. A u rrëzua qeveria sot?
Klodiana Lala: Flasim për Berishën edhe kur ishte në pushtet.
Artan Hoxha: Opozita ishte kjo që ne pamë aty dhe tha se do të rrëzonte qeverinë. A e rrëzoi qeverinë?
Klodiana Lala: Hoxha, është e dobësuar.

Artan Hoxha: Ata që ka sjellë nga rrethet, a i ka ata që ka sjellë nga rrethet? A e di në cilin komisariat po rrinë tani? Ky është problemi, nuk është problemi se çfarë do të bëjmë ne. Ne e bëjmë çdo ditë punën tonë, por nuk jemi ne opozita. Nuk e bëjmë ne opozitën. Ne i ndihmojmë, por jo ata të na hedhin hi syve. Ai nuk e di ku i ka protestuesit sot. E di ti sa protestues janë ndaluar sot? Jo, nuk e di. A e di opozita se sa protestues janë ndaluar? Jo nuk e di. Opozita duhet ta dalë nëpër komisariate dhe të bërtasë e të marrë protestuesit e vet dhe t’i çojë në shtëpi. Tani po arrestohen protestuesit e opozitës.

Klodiana Lala: Të lutem a mund ta mbaroj?
Artan Hoxha: Opozita tha mirupafshim, takohemi nesër. Këtë po them, çfarë do të bëjmë ne për protestuesit që kur të jetë protesta tjetër të vijnë 5 herë më shumë se ç’ishin sot? Nëse ne i thërrasim sot dhe i lëmë nëpër komisariate, çfarë u kuptua pastaj?
Klodiana Lala: Zoti Hoxha nuk e ka debatin me mua. Të pyesë opozitën.
Artan Hoxha: Nuk bëj debat me opozitën, as me maxhorancën. Unë jam me opozitën, por kjo që po thua ti se me këto po e rëndoni. Jo nuk po e rëndojmë.

Klodiana Lala: Unë nuk kam pritur më shumë se kjo që ka ndodhur sonte, nisur nga rrethanat, në një Shqipëri totalisht të braktisur. Ne nuk jemi për të dalë në protestë. Ne jemi për punën tonë për të raportuar dhe për t’i thënë faktet siç janë.
Artan Hoxha: Nuk po raporton, po bën analizë politike.
Klodiana Lala: Opozita është e dobësuar dhe kjo duhet të na shqetësojë ne, sepse ne nuk mund të pranojmë si një gjë normale një pushtet që ka të gjitha në dorë dhe mund të të vijë të arrestojë në studio aty. Këtë nuk mund ta pranojmë si normalitet.