Ballina Ekonomia Ç’po ndodh me legalizimet dhe tapitë e 7501, drejtoresha e Kadastrës shpjegon...

Ç’po ndodh me legalizimet dhe tapitë e 7501, drejtoresha e Kadastrës shpjegon marrëveshjen me bashkitë

41
0

Kur kanë mbetur edhe 4 vite nga përfundimi i afatit ligjor, Qeveria vendos që të bëjë palë në proces edhe Bashkitë, të cilat do të koordinojnë punën mes qytetarëve dhe Kadastrës. Në një intervistë ekskluzive për Tv Scan, Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Lorena Goxhobelli, tha se përfshirja e njësive të qeverisjes vendore do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit. Deri më tani marrëveshja është firmosur nga 40 për qind e bashkive.

“Bashkitë, si njohëse shumë të mira të institucionit që ato drejtojnë. Janë në gjendje të përcaktojnë zonat të cilat paraqesin një densitet më të lartë të objekteve informale. Janë ato që do udhëhqein, siçe ka thënë edhe kryeministri, procesin e identifikimit të zonave prioritare dhe do shërbejnë si urë lidhëse midis qytetarëve dhe ASHK-së në plotësimin e dosjes së aplikimit për qytetarë, të cilët për një arsye ose një tjetër nuk kanë arritur ta finalizojnë”,-tha drejtoresha e kadastrës

Në takimin prezantues të nismës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama u tha se bashkitë do të vendosin prioritetet dhe ritmin e planit të punës, ç’ka do të thotë se do të përcaktojnë, se cilat zona do të kenë përparësi për të përmbyllur praktikën e legalizimit. Por, po ashtu do të asistojnë qytetarët për plotësimin e dokumentacionit, do të koordinojnë komunikimin midis palëve, si edhe do të vendosin në dispozicion burime financiare dhe njerëzore shtesë në rastet kur do të jetë e nevojshme. Janë më shumë se 230 mijë ndërtesa pa leje në të gjithë vendin, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Drejtoresha e Kadastrës tha se po shihet mundësia e unifikimit të praktikave për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë.

“Jemi duke punuar në kuadër të unifikimit të praktikave, pra është një shërbim kadastral. Pavarësisht nga cila zyrë trajtohet, të trajtohet në mënyrë të njëjtë. Po punojmë për unfikimin e praktikave, mendojmë se do i japë një hov të ri. Po punojmë gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemit, i cili ka nevojën e vet për t’u koaluduar. Mendojmë se me lëvizjet e duhura, përfshirë edhe trajnimin e njerëzve, sepse edhe njerëzit kanë nevojë të mësohen me sistemin dhe të jenë më familjarë. Mendojmë se do përmirësohemi dhe do ta kthejmë ASHK-në në një institucion që është efiçent dhe që jep shërbimin kadastral në kohë dhe me përgjegjësi”, tha Goxhobelli./Scan TV