Ballina Ekonomia Ministrja Denaj: Skema e investimeve në Bujqësi, mbështetje kapaciteteve prodhuese të fermave

Ministrja Denaj: Skema e investimeve në Bujqësi, mbështetje kapaciteteve prodhuese të fermave

7
0

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot informacion në lidhje me skemën e investimeve në bujqësi në takimin e mbajtur sot me fermerë të qarkut të Tiranës.

Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarii bashkisë së Tiranës Erion Veliaj sikundër edhe deputetë të qarkut Tiranë.

Denaj vuri në dukje se skema e investimeve në Bujqësi synon rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në fermat bujqësore dhe blegtorale si dhe modernizimin e fermave për të rritur rendimentin, por njëkohësisht për të ulur dhe koston.

Ajo u ndal tek fakti që skema parashikon mbështetje edhe për të eliminuar disa nga problematikat në disa zona të Shqipërisë e pse jo ndoshta edhe në Tiranë, që kanë të bëjnë me kushtet klimatike.

Denaj theksoi se kushtet klimatike vitet e shkuara I kanë ekspozuar fermerët ndaj breshërit duke sjellë humbje të produkteve në zonat e lindjes dhe jugut të Shqipërisë.

“E për këtë kemi vendosur në fokus edhe një investim në atë që është rrjetat antibreshër”, theksoi Denaj.

Ministrja u ndal edhe tek mbështetja për akuakulturën si një mundësi që qeveria shqiptare me një fond prej 15 mln eurosh e bëri të mundur me Aktin Normativ.

Denaj u shpreh e hapur të ndajë me fermerët të gjithë informacionet në lidhje me skemën e cila ka filluar në datën 30 shtator, ndërsa data 8 nëntor është data finale e mbylljes së aplikimit.