Ballina Editorial Ridalja e gazetës “bulevard”, krijon hapësira të tjera për fjalën e lirë

Ridalja e gazetës “bulevard”, krijon hapësira të tjera për fjalën e lirë

5
0

Nga Shpendi Topollaj

Kjo që po ndodh me gazetarinë në veçanti dhe mediat në përgjithësi në këto vite të gjata tranzicioni te ne, sepse ngjet pikë për pikë më atë që Honore de Balzak (1799 – 1850), qysh në kohën e tij kishte vërejtur se “Gazeta, në vend që të jetë një mjet i lartë për t`i shërbyer shoqërisë, është bërë një armë në duart e partive; arma është kthyer në tregti dhe, si të gjitha tregtitë, ajo nuk njeh as fe as ligj”. Tashmë të gjithë e kanë të qartë se në këtë tregti të pandershme, ku natyrisht që ka edhe gazetarë me dinjitet e moral të lartë, ata që me shkrimet dhe analizat e tyre merren me atë që ngjet te ne, duan – s`duan i përmbahen politikës redaksionale e cila diktohet nga pronari. Dhe mund të abstragohet lehtë për të kuptuar se çfarë të “vërtetash” i thuhen dëgjuesve dhe lexuesve dhe si trullosen e mashtrohen mendjet e tyre, kur dihet se të paktën ato organe që kanë shikueshmëri e leximin më të madh, i kanë drejtuesit të lidhur me interesa të ndryshme dhe përfitime financiare nga forcat influente politike. E parë kështu, mund të themi se gazetaria sikundër shprehej dikush me shpoti, “ka bërë për mendjen atë që baruti ka bërë për luftën”. As më shumë e as më pak, ajo ose i ka ndezur më shumë gjakrat dhe me shpifjet e saj ka sjellë sherre pa fund e përçarje, ose ka mbuluar mangësitë e vjedhjet që na bëhen. I madh dhe i vogël, tashmë e dinë shtrirjen e paimagjinueshme të korrupsionit, si një e keqe që po e gërryen nga brenda shoqërinë tonë kapitaliste. Ky fenomen është denoncuar edhe nga vëzhguesit e huaj dhe raportet e qeverive mike. Luftimi dhe fitorja ndaj kësaj dukurie, veçanërisht tani që synojmë pranimin në BE, veç të tjerave, kërkon edhe fjalën e guximshme të njerëzve e sidomos të intelektualëve. Dhe është fakt se ata gjithmonë e kanë gjetur mundësinë për t`u shprehur në faqet e gazetës të qytetit tonë “Bulevard” e cila mori shtrirje të gjerë edhe në disa rrethe kryesore të vendit. Por pikërisht nga mosvarja, pra nga ndershmëria dhe realitetet që në faqet e saj pasqyroheshin, drejtuesi i saj, gazetari dhe shkrimtari i njohur Artur Llana, i vënë në vështirësi monetare, u detyrua ta kalojë atë në formën e një Portali. Ridalja sërish në letër e kësaj gazete, për këdo është një lajm i gëzueshëm. Aty gjithkush ka mundësinë dhë lirinë të shkruaj, të japë mendime, të kritikojë apo të sugjerojë ashtu sikurse e gjykon vetë. Dhe jo vetëm kaq: aty secili mund të botojë apo të lexojë artikuj që i kushtohen ngjarjeve të ndryshme, figurave të nderuara historike e aktuale, shembulli i të cilëve duhet ndjekur, veprimtarive të ndryshme kulturore, krijimtarisë letrare, shkencore e sportive. Në këtë gazetë është krijuar edhe tradita e bërjes polemikë, gjithmonë me qytetari e pa mllefe. Administrata këtu duhet të shohë veten dhe ta korrigjojë atë, kur nga populli ka vrejtje. Pse jo, edhe kuriozitet dhe argëtimet kanë qenë dhe besoj se do të jenë pjesë e qenësishme e saj. Dhe është e kuptueshme, se kur gazeta është në letër, ka më shumë mundësi të bjerë në dorë të lexuesve dhe të shpërndahet te të tjerët. Pastaj, nuk duhet harruar, se kjo gazetë e ka ruajtur të paprekur edhe synimin për të treguar rrugët sesi duhet bërë që të jetë më mirë. Drejtuesi i saj që shquhet për kurajë në shfaqjen e mendimeve të tij, pa ia ditur për oligarkë, “të fortë” apo të pushtetshëm, dhe që është përballur pa u thyer me ta sallave të gjyqeve, i ka qëndrar gjithmonë besnik mësimit të Joseph Pulitzerit (1847 – 1911), se “Një gazetë që i rri besnike qëllimit të vet, merret jo vetëm me mënyrën sesi janë gjërat, por edhe se si duhet të jenë”. Është kjo arsyeja, që ridalja në letër e kësaj gazete na gëzon dhe na bën ta urojmë më gjithë zemër: të vazhdojë pa u lëkundur rrugën e saj, se vetëm kështu ajo do të mbesë përherë e dashur dhe e kërkuar për masën e madhe të lëxuesve që kanë nevojë për dashuri e unitet.