Ballina Opinion Iku Çyrbja duke shkaktuar mall e brengë. Bilanc i halleve dhe derteve...

Iku Çyrbja duke shkaktuar mall e brengë. Bilanc i halleve dhe derteve nga një letër e Borës!

79
0

Nga Agron Gjekmarkaj

Bora i është drejtuar Kronikes me një leter nga ato që mbetet e kujtohet sa i gjalli frymë të ketë. Aty ajo qan e shpreh të gjitha darametet (hallet, dertet) e kesaj kohe virane! I dashur autor i Kronikes, Mirënjohja vjeterohet e para, na kujton Aristoteli që ishte i mençur sa Erjon Braçe, por që nuk mbathte taka që të dukej më i gjatë, siç i thoshte Jozefina! Unë ja di kimetin “Kronikes”, falë saj tani me njohin të gjithë në Kuvend e me gjërë, me respektojnë siç me ka hije! Babo Sulltani ynë, i cili priti në ziaretin (viziten) e radhës, Sulltanin e Turqisë, prej saj më ka caktuar shefe të platformes “Deputeti që duam” per krejt vilajetin dhe Diasporën. Për këtë të fundit, Tao bën hamallëqet, unë bëj hatëret.

Aty jeta është jetë e qejfi qejf, respekti respekt e ndera nder! E ke parë si u rri rëndë deputetëve?! Madje Shalsi shpesh ma bën kafenë turke shqeto me duart e veta e ma sjell hazer xhevap! Unë e pi ngadalë dhe e lë në këmbë të presë per të marrë filxhanin! Ky nuk është ofendim, është hatër qe i bej dhe ai e kupton këtë. Por ka ardhur koha për një bilanc! Ja, Mamica ta këputi me 40 ditë përjashtim, se i bëre një sullaco karriges nga brenda jashtë, me urdher të Babos e doren e zonjes Pushka. Edhe pse u ngjit në atë karrige falë portretit që i ndertove në Kronikë, nuk e mbajti dorën qerratesha! Lexonte Babua Kroniken dhe bareste në zyrën me mure fluturash dhe mejtonte ! Aty e kuptoi i uruari që ti po ja nxirrje në shteg për Kryetare dhe ajo ishte e duhura për të zëvendësuar të paqtën Linditë. Megjithëse kur vërtiti ai Gaz Bardhi kopaçen në ajër, për t’i rënë murit e kallur datën, (nga nxitimi një qafir tha Dallur Kakën) haram paska qënë ai djalë, që mos i bëftë kurrë dritë shpirti, xhehnem e pastë jetën dhe Allahu i pakësoftë vuxhutin, vura re një gjë, motrani e shoqeni. Disa të paudhe e të paudhë, ngactë dy anët e Mexhlisit, u merziten që kopaçja nuk e zu Mamicen e ngratë, t’ja bënte nurin fertele e mos t’u bënte më karshillek nga lart! T’i mbeste një shënjë, si njeriut që qesh!

Po ishallah, ka dorë prapë e ia terezit!

Si shahite e hollë që jam, po sodis se si personazhet e Kronikes po i hanë kokën njëri-jatrit !

E para e pesoi Margeriti që ti, Kronikan, e pershkruaje si vetmitare e koken mbi re, kur duhej kolektivitet e koka ulur! Ti thoje, jo bluja smerald e gjepura kesodore, kur e thinjura e mjekrres se atij është ngjyra e vetme!

Iku ajo!

Kurbani i dytë u bë Nikoqiri, të cilit ia shkultë Zoti gjuhen se paskesh krahasuar Babon me Sadam Hyseinin, paske thënë që është në kapitullin e tretë do të zhdukë opozitën pastaj, në të katërtin, ne, bashkëpunëtorët e vet! E paska bërë këtë ngaqë miqtë në tavolinë i thonin frikacak, frikacak dhe ay u tha do ju them një gjë që do deftej trimeri e paska leshuar atë zezonë! Lanet!

Edhe Taos, nën veshtrimin indiferent të Belës, nuk po i zënë më këmbet dhè nga Elbasani në Fier, nga vezir i brëndshem në mamicush parlamenti! Ministrush eksiq! Meqë ra fjala, Bela të ka marrë zët edhe ty, ndaj nuk të ktheu xhevap për dritat e Zejmenit në shenjë proteste ndaj Kronikes!

Damua prej kohësh vërtitet në Had dhe ndien nostalgji për Ditmarin, që vërtetë i bie qytetit tutje-tëhu me një çantë në shpinë, si turist hungarez, por ka mundësi të shpërndajë helm sa t’i dojë zemra per shoket e idealit! Klosi është ngrohtë në xhepin e Babos, si fanti spathi dhe pret ku e hedh ai, po bëreqavers! Ka edhe keq e më keq!

Kostaqi, gjithë ai akademik Harvardi, me një dollap me libra e qitape që i ka shkruar vetë, e pesoi gjithashtu. Ia ndukën spaletat e tupet si brinjet Adamit, duke i thënë sikter nga shef kabineti e lipsu keshilltar, por Babua më ka thënë ta therrasë të sjellë video e gjëra e librat e shkruar tek platforma ime që perzgjedh deputetet! Se Babua nuk harron, i uruari, sado duket sikur nuk e ka mendjen në vogëlsira. Po ne fund te fundit, mire e ka Babua: Ç’ka më shumë Vangjeli i Himarës që ka qenë gjithnjë në tavë, nga Kostaqi, që ka edhe gruan nga zemra e shqiptarisë?

Edhe Ogit i ka shkuar mbroth aty ku e lije, në purgator, e herë pas here me një sy në parajsë, ja u bë shefe e Lali Erit, birinxhi ajo! (Një ditë më pyeti në konfidencë, ç’është ky purgatori, dhe me zuri gafil! Mua me ka ndenjur afer në momente solemne, me keshilla e babaxhanllek, ndaj mejtoj se duhet mbeshtetur!

Etilda, ashtu si bletë punëtore, kokëulur e melankolike, me ato fjalimet si tezgjah i Penelopes, falë Kronikes hyri në kryesi! Qesenditë per gezimin e Tezes, lotet e saj të dlirta kur flet Babua, putiri dhe kerma e pjekur, vençja me Termenë, po e mbajnë ministre që Kronika të mos duket kaq ndikuese. Por nuk do të thoja të njëjten gjë per fatin e Anila Denajt, e cila gjithnjë e me shumë identifikohet me subjektet që administron, domatet, patatet, katravecat! Nuk bëre mire që u vure në siklet Arben Pellumbin, ku i the bëji një kritikë Babos, tu thaftë gjuha, tu bëftë saragë në tym, ka gjë per tu kritikuar ai? Beni desh qau, s’u besonte vesheve, desh i ra qielli mbi kokë si topuz!

Edhe Olta ka daramete shumë keto kohë. Kronika ka qënë mjaft e krishterë me të, dukë shkaktuar habira! E ke thënë diku, ti qerrata Kronikan, se kronika ben sevape per personazhet e saj ne dite te veshtira!

Ja ai i alltisë, i betejave që dridhnin femijen në bark të nënes, iku, Çyrbja, Çyrbja, duke shkaktuar mall e brengë tek Eni Xake e Aurora Mara, që e kishin aty pranë si byrazer e hudhër kunder syrit të keq!

E di e di që ti je i hidhëruar për burgosjen që Babua e sovjetiku Xhafa, i cili prej 40 vitesh denon njerez, i bënë Salianjit! Kush e thyen monotonine tani, kush na jep shqetesimin e duhur secilit, kush na trazon midenë me thagma, kush, hë me thuaj ti? Kush t’i sjell ty haberet nga Mexhlisi te qoshja e kafenese? Mbete si kuk e qyq!

Dashtë Zoti, deri tek letra tjeter jemi gjallë e nuk na percelloni me tym e flakë! Do të shkruaj prapë per daramete të tjera, nderkohe selam Kryezevendes Liderit Mulit, thuaj një llaf per mua se ai nuk është aq nursez sa duket!

Nderkohë po pate ndonjë haber si i shkoi vizita në Bundestag Jorushit të Tabakeve me ço imza?
Ejvallah e bëma kabull!
Me respekt,
Bora! D.V.