Ballina Aktualitet Krijimi i Shtetit Bektashi në Tiranë, Baba Mondi: Shqipëria gëzon të drejtën...

Krijimi i Shtetit Bektashi në Tiranë, Baba Mondi: Shqipëria gëzon të drejtën e aprovimit të ligjit për këtë çështje

13
0

Kryeministri Edi Rama në një mbledhje të Asamblesë së NATO-s, prezantoi idenë e krijimit të një mini shteti në Tiranë, krijimin e një shteti bektashi. Mini shteti, territori i të cilit do të përbëhet nga rreth 0.1 kilometra katrorë, është planifikuar të jetë “Vatikani” i rendit shiit sufi bektashi, komuniteti i katërt fetar më i madh në Shqipëri.

Udhëheqësi shpirtëror dhe fetar i bektashinjve, Baba Mondi, është personi që ka promovuar idenë e krijimit të një “Vatikani” bektashian në Tiranë. Nëse nisma kalon shpejt, ai do të jetë kreu i parë i shtetit të ri.

Lidhur me këtë, media izraelite “The Jerusalem Post” ka zhvilluar një intervistë me vetë Baba Mondin, ku ky i fundit,tha se po zhvillohen strategji të ndryshme për zbatimin e këtij plani.

“Shteti shqiptar gëzon të drejtën e aprovimit të ligjit për këtë çështje. Më pas ne do ti drejtohemi komunitetit ndërkombëtarë duke i kërkuar njohjen. Ne duam të kemi një status diplomatik në botë duke u njohur si “Qendra Botërore e Bektashinjve” Qendrat e komunitetit tonë në të gjithë botën  do të jenë pjesë e “Qendrës Botërore”. Ne po zhvillojmë strategji të ndryshme në lidhje me zbatimin e këtij plani. Por fillimisht duhet qeveria e Shqipërisë të miratojë ligjin duke ndryshuar statusin tonë”, ka thënë Baba Mondi.

Shqipëria ka pritur selinë e grupit, Qendrën Botërore Bektashiane, që nga viti 1929, kur komuniteti u zhvendos në Tiranë nga Turqia, ku autoritetet laike turke persekutuan udhëheqjen dhe anëtarët e urdhrit. Qytetarët e shtetit të ardhshëm do të jenë vetëm anëtarët e klerit të rendit dhe stafit administrativ të tij, si në Vatikan.

Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve ka folur edhe për Izraelin, ku është shprehur se e ka vizituar disa herë dhe shprehet se e konsideron veten vëlla të popullit izraelit.

“Unë e njoh Izraelin dhe e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit. Unë kam vizituar gjithë Izraelin me miqtë e mi atje. Unë isha i ftuar në një martesë hebreje të një miku.  Bektashinjtë janë një komunitet dhe një rrugë mistike e Islamit që i do njerëzit pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë, çfarë feje i përkasin, ngjyrën e lëkurës apo politikën e tyre. Ne i konsiderojmë ata si vëllezër dhe motra. Dy gjëra më lanë shumë përshtypje [kur vizitova Izraelin.] E para ishte mikpritja. Më mirëpritën si vëlla dhe shok. Së dyti, vizitova të gjitha vendet e shenjta. E mora energjinë pozitive nga këto vende dhe besimtarët në to. Nuk po flas për ekstremistët, por për ata që besojnë në Zot dhe jetojnë sipas parimeve të librave të shenjtë.” thotë ai.

Baba Mondi e mbyll intervistën duke cituar një lutje nga Kurani.

“Të mallkuar janë ata që veshin uniformën e Zotit për të bërë punën e Djallit. Njerëzimi duhet të kuptojë se qeniet njerëzore nuk mund të gënjejnë dy gjëra: Zotin dhe vetveten. Ju mund të gënjeni njerëzit e tjerë, por nuk mund të gënjeni Zotin dhe veten. Kurani i Shenjtë thotë se ata që e njohin veten e tyre e kanë njohur Zotin. Në ditët e sotme, shumë nuk e njohin veten.”, tha Baba Mondi.