Ballina Ekonomia Tregu i pasurive të paluajtshme/Po shiten më pak apartamente, por me çmim...

Tregu i pasurive të paluajtshme/Po shiten më pak apartamente, por me çmim shumë më të lartë se vjet

23
0

Po shiten më pak apartamente, por me çmim shumë më të lartë se vjet. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë dhe të dhënat e INSTAT për transaksionet tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vijon të tërheqë qytetarë, biznese e shtetas të huaj, pavarësisht çmimeve që vetëm rriten.

Përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, transaksionet e pasurive të paluajtshme kanë arritur në shifra rekord. Sipas INSTAT, nga janari deri në fund të muajit qershor transaksionet në këtë sektor arritën në vlerën 58.4 miliardë lekë, duke u rritur me 2.7 miliardë lekë krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër po për këtë periudhë Banka e Shqipërisë ka raportuar për ngadalësim të shitjeve, pasi agjentët e anketuar kishin deklaruar më pak shitje se vjet. Praktikisht këto dy raporte tregojnë se po shiten më pak prona por me çmime të larta, dhe për pasojë edhe vlera e transaksioneve është në rritje të shpejtë. Vetëm gjatë kësaj periudhe të parë të vitit çmimet u rritën me 23.5%, krahasuar me vjet.

Një tjetër faktor që shton volumin e transaksioneve në këtë industri janë edhe shtetasit e huaj, që blejnë pa negociuar çmimin. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, afro 1/3 e pronave në 5-vjeçarin e fundit po blihet nga të huajit.

Interesi i të huajve për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, tregohet edhe nga shifrat e investimeve direkte, pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit një në katër investime të huaja në Shqipëri shkon në sektorin e pasurive të paluajtshme.

E përkthyer në vlerë janë 181 milionë euro të shpenzuara nga të huajt për të blerë prona në Shqipëri e kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat kryesore të qendrës së Tiranës, ku një metër katror ka kaluar 4000 euro.

Sa i takon pritshmërive për çmimet e apartamenteve në vijim, sipas Bankës së Shqipërisë 71% e agjentëve presin që çmimet të jenë në këtë nivel, dhe 26% presin rritje të fortë.