Ballina Politika Projektligji për Kërkimin Shkencor, Meta: Qeveria po minon autonominë e universiteteve, rrezik...

Projektligji për Kërkimin Shkencor, Meta: Qeveria po minon autonominë e universiteteve, rrezik për lirinë akademike

7
0

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë me një deklaratë të fortë këtë të hënë kundër projektligjit të qeverisë për “Kërkimin Shkencor dhe Shkencën”, duke e quajtur këtë iniciativë një përpjekje për të uzurpuar botën akademike dhe për të minuar lirinë akademike në Shqipëri.

Meta theksoi se qeveria po përpiqet të kontrollojë kërkimin shkencor pa asnjë transparencë dhe konsultim me grupet e interesit. Ai e cilësoi këtë projektligj si një kërcënim të hapur për autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe si një tentativë për të shndërruar universitetet në institucione patronazhi.

Në deklaratën e tij, Meta kërkoi që opinioni i Konferencës së Rektorëve të dëgjohet dhe të shndërrohet në një platformë për një ligj më efektiv. Ai theksoi rëndësinë e depolitizimit të sistemit arsimor dhe investimeve në arsim dhe kërkim shkencor, duke e bërë atë një nga prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.

Meta e përfundoi deklaratën e tij duke thënë se investimi në arsim duhet të jetë mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian dhe se mësuesia do të marrë mbështetje financiare për të rritur cilësinë e arsimit dhe për të ndihmuar zhvillimin e teknologjisë në vend.

Deklarata e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta:

Pasi uzurpoi me dhunë dhe kapi për fyti të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese në vend, duke asgjesuar kontrollin dhe balancat e pushteteve, “Rilindja” i është turrur sëfundmi Arsimit të Lartë, për të asgjesuar edhe atë pak liri Akademike që mund të ketë mbetur.

Partia e Lirisë dënon me forcë përpjekjen e fundit të Kryeministrit Rama për të uzurpuar me dhunë botën akademike dhe për të patur tërësisht nën kontrollin e vet edhe kërkimin shkencor, përmes projektligjit “Për Kërkimin Shkencor dhe Shkencën”.

Me këtë projektligj, të çuar në Kuvend pa transparencë dhe në mungesë të plotë konsultimi dhe mirëkuptimi me grupet e interesit, Qeveria shkel hapur dhe cënon rëndë lirinë akademike dhe autonominë e institucioneve të arsimit të lartë.

Me ligjin e ri, universitetet dhe institucionet kërkimore zhvishen nga detyra dhe përgjegjësia e tyre për t’u angazhuar me veprimtari shkencore, dhe në këtë mënyrë shndërrohen në institucione patronazhimi për “Rilindjen”.

Tani, në krye të shkencës dhe të kërkimit shkencor,do të jetë vetë ai, që shkatërroi çdo institucion kërkimor dhe shkencor në vend, që shkatërroi lirinë akademike dhe autonominë universitare, që bën fushata intimiduese ndaj pedagogëve që kërkojnë të drejtat e tyre dhe nivelin e pagave sa kolegët e tyre në Kosovë, ai që e ka çuar nivelin e buxhetimit për Arsimin më pak se gjysma e vendeve fqinje, që e rriti analfabetizmin funksional dhe ka gati zero fonde për kërkimin shkencor.

Vetë letra zyrtare e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve provon dhe tregon qartë edhe fyerjen ndaj mendimeve të Konferencës të Rektorëve, mendimi i të cilëve është kërkuar vetëm për formalitet.

Opinioni i Konferencës së Rektorëve, si struktura më e lartë e drejtimit të sistemit të Arsimit të Lartë, e përbërë nga të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe private, duhet të dëgjohet dhe të kthehet në platformën mbi të cilën të rinisi diskutimi për një ligj efektiv.

Universitetet duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithanshëm, por vit pas viti Qeveria e ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze.

Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri.

Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe Partia e Lirisë e ka prioritet kyc për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres, të ardhme të sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë.

Për Partinë e Lirisë, Arsimi dhe investimi në Kapitalin Njerëzor, është një nga 5 Prioritetet tona madhore.

Partia e Lirisë angazhohet në programin e saj konkret për dyfishimin e nivelit të buxhetimit për Arsimin dhe Inovacionin, për të kaluar mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të rajonit.

Investimi në Arsim dhe Kërkim Shkencor do të jetë në nivelin 5% të PBB.

Mësuesia do të konsiderohet degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje financiare favorizuese për studentët dhe mësuesit.

Do të trajtohen me investime prioritare degët e teknologjisë dhe të informacionit.

Vetëm kështu përgatisim një fuqi të kualifikuar njerëzore dhe rinore për ta kthyer Shqipërinë në fuqi eksportuese.