Ballina Politika “Policia s’ka hyrë kurrë në parlament, akt puçist”, Berisha ‘shpërthen’ ndaj ministrit...

“Policia s’ka hyrë kurrë në parlament, akt puçist”, Berisha ‘shpërthen’ ndaj ministrit Hoxha: Pasardhës i Enver Hoxhës

10
0

Kryetari demokrat Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, deklaroi se “Shqipëria është kthyer në një diktaturë krimi, droge dhe vjedhjeje. Është një mobokraci,” duke akuzuar qeverinë për kontroll absolut mbi çdo pushtet. “Atë që e quajnë diktaturë demokratike,” tha ai, “e konsideroj mjerim njerëzor, sepse nuk ekziston diçka e tillë.”

Berisha theksoi se “tipari themelor i një diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu të vetëm.” Ai u shpreh se kushdo që dyshon në këtë të vërtetë në Shqipëri, “është ose jashtë realitetit, ose i mashtruar nga paratë e krimit që vijnë nga qeveria.”

Gjatë komenteve të tij mbi përplasjet në parlament, Berisha kritikoi ashpër veprimet e qeverisë, duke thënë: “Veprimet e djeshme janë tipike të një diktature. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që policia të hyjë në parlament. Ky regjim nuk respekton as ligjin dhe as Kushtetutën.”

Ai sulmoi Elisa Spiropalin për urdhrin e saj që gardistët të nxirrnin me forcë një deputete të PD-së nga salla. “Spiropali urdhëronte gardistët pa ligj, sepse pretendonte se deputetja kishte hedhur helme toksike,” tha ai. “Në realitet, ato ishin substanca parfumike.”

Berisha gjithashtu akuzoi ministrin Ervin Hoxha, duke e quajtur “pasardhës të Enver Hoxhës” dhe kritikoi përfshirjen e RENEA-s në ngjarje. “Ata futën kriminelë dhe trafikantë në parlament, dhe një prej tyre madje tregoi armën ndaj një deputeti të PD-së,” u shpreh Berisha.

Ai lavdëroi reagimin e deputetit Luan Baçi, duke thënë: “I përgëzoj të gjithë ata që u përballën me guxim me këto banditë dhe ftoj çdo qytetar që t’u japë përgjigjen që meritojnë.”

Berisha theksoi se nuk mund të angazhohen forca të tjera në parlament pa një vendim të posaçëm të parlamentit dhe se përfshirja e RENEA-s ishte një akt jashtëligjor. “Duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme që të angazhohen forca të tjera,” tha ai.

Në përfundim, Berisha përgëzoi deputetët opozitarë për qëndrimin e tyre. “Mosbindja civile do të jetë përgjigjja jonë ndaj këtyre akteve kriminale dhe antikushtetuese,” përfundoi ai.