Ballina Politika Kuvendi ‘censuron’ demokratët, Kalemaj: Opozita duhet të mbjellë frymë dhe të nxjerrë...

Kuvendi ‘censuron’ demokratët, Kalemaj: Opozita duhet të mbjellë frymë dhe të nxjerrë një program të unifikuar

8
0

Politologu Ilir Kalemaj thekson se “mazhoranca është jashtëzakonisht arrogante” dhe ka izoluar plotësisht opozitën duke i mbyllur çdo lloj mundësie për t’u shprehur në parlament. “I kanë hequr çdo lloj mjeti parlamentar dhe, sipas tij, është legjitime protesta e opozitës,” shtoi ai, duke kritikuar gjithashtu praninë e forcave policore gjatë protestave, të cilën e konsideron të pajustifikueshme.

“Akti më i madh që ka bërë opozita është djegia e disa karrigeve,” tha Kalemaj, duke nënvizuar se “opozita duhet të mbjellë frymë, sepse ajo nuk është vetëm forcë fizike, por një shpirt frymëzues për popullin.”

Sipas tij, “opozita duhet t’i japë shpresë këtij vendi, duhet të tregojë se ia vlen të jetohet këtu.” Kalemaj sugjeron se opozita duhet të largojë retorikën pesimiste dhe të paraqesë ide konkrete për të ardhmen. “Presim të dëgjojmë më shumë se çfarë propozon opozita, jo vetëm kërkesa për qeveri teknike,” tha ai, duke kujtuar se një qeveri kujdestare u vendos edhe në 2017 dhe “rezultati ishte më i ulëti në historinë e opozitës.”

Gjatë një interviste televizive, Kalemaj theksoi se “opozita duhet t’iu mbushë mendjen njerëzve se kemi të bëjmë me një autokraci dhe një regjim që përdor çdo lloj forme propagande,” përfshirë këtu heqjen e fjalës dhe kufizimin e aksioneve politike. Ai shtoi se ky regjim “po bllokon çdo protestues dhe po i jep njerëzve dy mundësi: ose të largohen nga vendi, ose të bëhen palë me pushtetin.”

Sipas Kalemajt, “opozita duhet të paraqesë një program politik të qartë, të ndezë motorët e fushatës dhe të dalë me një ekip të ri frymëzues, me personalitete të pa konsumuar,” pasi vetëm kështu mund të rifitojë besimin e qytetarëve. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së diasporës dhe ndërkombëtarëve në protestat e planifikuara në Strasburg, Bruksel dhe qytete të tjera evropiane.