Ballina Bota Ndikimi i uraganeve Helene dhe Milton tek votimi në shtetet e dëmtuara...

Ndikimi i uraganeve Helene dhe Milton tek votimi në shtetet e dëmtuara nga stuhitë

12
0

Florida, Karolina e Veriut dhe Xhorxhia po përballen me pasojat e dy uraganeve të fuqishme që shkaktuan qindra viktima dhe dëme prej dhjetëra miliarda dollarësh. Në materialin në vazhdim, korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara i hedh një vështrim ndikimit të stuhive tek votimet e nëntorit në këto shtete.

Shtetet e goditura rëndë nga uragani Helene, në fund të shtatorit, dhe Milton në fillim të këtij muaji, po përpiqen t’i kthehen normalitetit. Energjia elektrike është rikthyer për shumicën e zonave ndërsa vazhdon puna për pastrimin e mbeturinave.

Presidenti Joe Biden vizitoi zonat e prekura në Florida në fillim të kësaj jave, duke inkurajuar unitetin mes amerikanëve.

“Jo si demokratë apo republikanë, por si amerikanë, amerikanë që kanë nevojë për ndihmë dhe amerikanë që do t’ju ndihmonin nëse do të ishit në të njëjtën situatë”, tha Presidenti Biden.

Por është e vështirë ndarja e reagimit ndaj stuhisë me politikën që e rrethon. Hulumtimet tregojnë se votuesit e vlerësojnë partinë e presidentit në pushtet kur qeveria federale i ndihmon njerëzit në raste fatkeqësie dhe e ndëshkon atë në të kundërt.

Kandidatja demokrate për president, Kamala Harris ka theksuar përpjekjet e administratës së Presidentit Biden.

“Kam folur me zyrtarë shtetërorë, lokalë, si republikanë ashtu edhe demokratë, për t’u bërë të ditur se ne do të jemi me ju në çdo hap të rrugës ndërsa rimëkëmbeni dhe rindërtoni”, tha zonja Harris.

Rivali republikan, Donald Trump, ka përhapur dezinformata në lidhje me reagimin e qeverisë federale, me pretendimet se ajo ka shmangur zonat republikane dhe ka përdorur fondet e ndihmave për të ndihmuar emigrantët e paligjshëm.

“Qeveria federale, nga ana tjetër, nuk ka bërë atë që duhet, veçanërisht në lidhje me Karolinën e Veriut. Ata i kanë lënë njerëzit të vuajnë padrejtësisht”, tha zoti Trump.

Sezoni i uraganeve në Atlantik arrin kulmin në muajt para zgjedhjeve të nëntorit. Për dekada të tëra, zyrtarët kanë hartuar plane se si të përballen me fatkeqësitë gjatë periudhës zgjedhore. Por tani, ata duhet të përballen edhe me dezinformatat.

Zëri i Amerikës bisedoi me Kim Wyman, analiste në Qendrën për Politika Dypartiake.

“Kjo është sfida më e madhe me të cilën po përballen zyrtarët zgjedhorë, në veçanti pas uraganeve. Në mediat sociale po përhapen teori të çmendura se nuk mund të votohet pas uraganeve. Ndaj po u kërkojmë votuesve që të dëgjojnë burime të besueshme”.

Ndërsa disa rrugë janë ende të bllokuara, ndërtesat e dëmtuara dhe njerëzit të preokupuar me rindërtimin e jetëve të tyre, pjesëmarrja në votime mund të jetë më e ulët. Dëmet e shkaktuara nga stuhitë mund të ndikojnë gjithashtu tek planet për të votuar me postë në shtetet që lejohet kjo praktikë.

Pothuajse të gjitha shtetet ofrojnë një formë të votimit të hershëm. Zyrtarët dhe aktivistët i kanë inkurajuar votuesit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Kjo mundësi të ofron më shumë kohë për të votuar, në vend të një dite të caktuar votimi. Askush nuk mund ta parashikojë nëse zona jonë do të goditet përsëri nga një tjetër stuhi e fuqishme, ose një lloj tjetër krize mjedisore që mund të bëhet pengesë për votime këtu në Xhorxhia”, thotë Chassidy Malloy me organizatën “Georgia Conservation Voters Education Fund”.

Zyrtarët në shtetet fushëbetejë të Xhorxhias dhe Karolinës së Veriut, u kanë dhënë disa qarqeve më shumë fleksibilitet për të bërë të mundur që njerëzit të votojnë./VOA