Ballina Ekonomia Gati 530 miliardë lekë, ditët e mira për ekonominë vijojnë, por investimet...

Gati 530 miliardë lekë, ditët e mira për ekonominë vijojnë, por investimet nuk po realizohen

12
0

Gati 530 miliardë lekë. Kaq para janë futur në arkën e shtetit deri në shtator. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se kjo shumë është 51 miliardë lekë apo 10.7 për qind më e lartë se një vit më parë.

Me gjithë inflacionin e rikthyer prej muajsh në objektiv, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën 115 miliardë lekë, 7.1 për qind më tepër se një vit më parë.

Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me gati 50 miliardë lekë, ndjekur nga taksat dhe akciza. E kundërta ka ndodhur me tatim-fitimin e bizneseve dhe rentën minerare të ardhurat nga të cilat u ulën respektivisht me 3.3 dhe 15 për qind  krahasuar me janar-shtator 2023.

“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, tha për A2 CNN eksperti i ekonomisw, Eduart Gjokutaj.

Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar te shpenzimet, duke mos realizuar planet për investime. Në harkun e  muajve janar-shtator për investime shkuan 459 miliardë lekë. Në raport me janar-shtatorin e vitit të shkuar shpenzimet janë zgjeruar me 7.9 për qind, por ato u realizuan vetëm në masën 95.1 për qind të planit.

“Po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë. Shpenzimet lihen për në fundvit. Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë efiçencë nga institucionet”, deklaroi për A2 CNN, Gjokutaj.

Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në harkun janar-shtator, me gati 70 miliardë lekë të kursyera.

Për shkak të mbledhjes së më shumë të ardhurave edhe se në skenarët më pozitivë, qeveria ndryshoi në fund të korrikut edhe buxhetin. Janë 27 miliardë lekë, të ardhura mbi pritshmëritë që pritet të arkëtohen.