Republika e Gjeorgjisë, që ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri kur fitoi pavarësinë në vitin 1991, po përgatitet për zgjedhjet e rëndësishme të 26 tetorit, në të cilat mendohet gjerësisht se do të vendoset drejtimi i vendit drejt Perëndimit apo Rusisë. Fuqitë perëndimore e akuzojnë partinë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ për dobësimin e demokracisë. Siç njofton nga Tbilisi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, udhëheqësit e kësaj partie po mundohen që përpara zgjedhjeve të shfrutëzojnë frikën e votuesve gjeorgjianë për mundësinë e luftës.
Reklamat e partisë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ kërkojnë të paraqesin një zgjedhje tronditëse për votuesit. Në njërën anë, pamjet e shkatërrimit nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Në anën tjetër, pamjet e Gjeorgjisë të begatshme. Sllogani thotë: “Jo Luftës! Zgjidh paqen”.
Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” i akuzon rivalët se janë pjesë e asaj që e quan “një parti globale e luftës”.
“Pretendojnë se opozita do ta tërheqë vendin në një luftë me Rusinë dhe se opozita është në thelb një agjente e Perëndimit, pjesë e ‘partisë globale të luftës’,” thotë analisti politik Ghia Nodia.
Partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ këmbëngul në mesazhin e saj.
“Asnjë përfaqësues i Ëndrrës Gjeorgjiane nuk ka deklaruar se Perëndimi është i gjithi me partinë globale të luftës. Është thënë se disa individë – qofshin politikanë, sipërmarrës apo aktorë të tjerë – mund të jenë duke mbështetur luftërat që po bëhen, si dhe përfshirjen e Gjeorgjisë në luftë”, thotë Nikoloz Samkharadze, Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë është tematikë kryesore për zgjedhjet e 26 tetorit. Forcat ruse mbajnë ende të pushtuar 20% të territorit gjeorgjian, pas sulmit që bënë në këtë vend në vitin 2008.
Për shumë njerëz, zgjedhjet janë një mundësi për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të Gjeorgjisë: me Perëndimin, apo me Moskën.
“Është një zgjedhje për llojin e vendit në të cilin dëshirojmë të jetojmë. Perëndimi përfaqëson demokracinë, ndërsa Rusia totalitarizmin”, thotë analisti Nodia.
Anketimet sugjerojnë se 80% e gjeorgjianëve dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidatit.
Por, marrëdhëniet u ftohën me shpejtësi.
Bashkimi Evropian ngriu praktikisht bisedimet për anëtarësimin, pasi Gjeorgjia miratoi në prill të ashtuquajturin ‘ligj për agjentët e huaj’, që Perëndimi thotë se imiton ligjin në Rusi që përdoret për të shtypur disidentët.
Shtypja me dhunë e protestave kundër qeverisë gjeorgjiane, i shtyu madje Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian të vendosin sanksione ndaj zyrtarëve gjeorgjianë. Ligjvënësit evropianë e akuzojnë qeverinë se po orientohet drejt Rusisë.
Partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ e hedh poshtë këtë akuzë – dhe thotë se vendi është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me BE-në deri në vitin 2030.
“Mendoj se këto çështje janë të përkohshme dhe se mund të gjejmë gjuhën e përbashkët me BE-në dhe SHBA-në”, thotë Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Nikoloz Samkharadze.
Për herë të parë, ligjvënësit do të zgjidhen me një sistem plotësisht proporcional. Shumë parti opozitare janë bashkuar në katër koalicione të gjera. Sondazhet sugjerojnë se asnjë parti, apo koalicion i vetëm, nuk do të fitojë shumicën – ndërsa publiku shpreh mosbesim ndaj të gjithë klasës politike.
A mund të bashkohet opozita për ta larguar nga pushteti Partinë ‘Ëndrra Gjeorgjiane’?
“Mendoj se ka ende argumente të mjaftueshme për të krijuar një konsensus rreth nevojës për të ndryshuar qeverinë, pavarësisht këtij mosbesimi”, thotë Giga Bokeria, anëtar i Partisë Federaliste.
E dëshiruar nga Perëndimi, nga Rusia dhe gjithnjë e më shumë nga Kina – Gjeorgjia përballet me një zgjedhje për drejtimin e saj të ardhshëm. Zgjedhjet shihen si një moment historik për një vend në vijën e parë të tensioneve gjeopolitike në rritje./VOA