Ballina Kronika Pak muaj pasi u lirua nga Dubai, arrestohet sërish Durim Bami! Prej...

Pak muaj pasi u lirua nga Dubai, arrestohet sërish Durim Bami! Prej pesë ditësh po mbahet në…

0
13

Durim Bami, një nga protagonistët më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, u arrestua për herë të dytë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndalimi i Bamit është kryer në datën 21 tetor dhe ky informacion konfirmohet nga burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit për Anila Hoxhën. Gazetarja Hoxha raporton se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe prej 5 ditësh mbahet nën arrest. Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve, ndërkohë që më herët dështoi sjellja e tij në Shqipëri.

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK.

Herën e parë, ai u ndalua për llogari të SPAK në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohet nga gjykata e Dubait pavarësisht se ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme premtuan sjelljen e tij para drejtësisë.

Ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.