Karriget që dogjën deputetët e opozitës duhet që të zëvendësohen. Ndaj, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender me vlerë 13 mijë euro për të blerë 30 karrige. Edhe pse deputetët janë përjashtuar me 20-40 ditë nga punimet në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender për blerjen e karrigeve duke e cilësuar si me “nevoja emergjente” për mbarëvajtjen e punimeve. Kuvendi kërkon që materiali i kornizës të jetë dru ahu i stazhonuar mbi 5 vite, të jetë i tharë paraprakisht në furrë. Madje, disa materiale të jenë edhe kundra zjarrit. Kjo ndoshta për të parandaluar një tjetër aksion të ngjashëm nga opozita që më shumë se një muaj më pari dogji karriget e Kuvendit.
Sipas dokumenteve që disponon “VoxNews”, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, ka firmosur hapjen e tenderit në Agjencinë e Prokurimit Publik. Kohëzgjatja e të gjithë marrëveshjes është brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i kontratës. “Përllogaritja është kryer bazuar në mesataren e tre ofertave të marra në treg, për zërin objekt kontrate mbi bazën e specifikimeve teknike të hartuara nga grupi i punës, referuar kontekstit ekzistues interior të sallës plenare dhe nevojës urgjente për këtë produkt, me qëllim kontinuitetin e zhvillimit normal të aktivitetit legjislativ në sallë”, thuhet në dokument.
Por ka edhe detaje të tjera lidhur me mënyrën sesi duhet të jenë karriget e blera. Druri duhet të jetë i stazhonuar, mbështetësja të jetë material multistrat e veshur me sfungjer kundër zjarrit. Për më shumë detaje specifike kanë vënë në dispozicion edhe foto të modelin, i cili është i ngjashëm me atë që aktualisht ka Kuvendi. “Dy këmbet e larta të karriges përfundojne të tornuara si në foto. Mbështetësja të inkasohet në këmbet vertikale dhe lidhëset horizontale. Ulësja të jetë material multistrat (panel druri) spesor 2 cm ose dru i fortë ahu në të cilën inkasohet veshja me po të njëjtin material e përbëre me sfungjer 5 cm kundër zjarrit dhe me lekurë të zezë – ekologjike,”- shkruan Kuvendi.
Një pjesë e parave për karriget e reja do të mbahet nga rroga e deputetëve të opozitës. Pas seancës kaotike të 30 shtatorit, grupi i Kontrollit dhe auditit të inventarit të dëmeve që ngriti vetë Kuvendi doli në përfundimin se demokratët i kishin “borxh” Kuvendit shumën prej 764.922 mijë lekëve të reja. Për blerjen e karrigeve të reja, Kuvendi duhet të investojë vetë.