Ballina Opinion S’bëhet shteti me Avni Rustema dhe Vasil Laçi

S’bëhet shteti me Avni Rustema dhe Vasil Laçi

18
0

Nga Artan Lame

E kisha bërë në mënd që vizitën e Fredi Belerit në Tiranë ta kaloja duke zënë hundët me dorë e duke shkuar tutje, po nuk qe e thënë. Nëse shkelja e Tiranës nga Beleri më prishi humorin, e bërtitura kundër tij më prishi gjakun.

Miq, shokë a të afërm të dy dëshmorëve të Peshkëpisë, i bërtitën në rrugë Belerit “Si ndihesh për Fatmir Shehun atje, si ndihesh? Po Arsen Gjinin, zoti Beleri? Turp! O rrugaç kush të futi ty deputet?”

Kësaj pyetjeje po dua t’i jap përgjigje: Ne, shqiptarët, e bëmë deputet Belerin.

Si të mos mjaftonte kjo, u lëshuan pastaj dyfekçinjtë e fb-së të thonin se duhej një Avni Rustem për ta zgjidhur këtë punë. Mua nuk më intereson fati personal i Belerit, madje nuk do më vinte mirë fare sikur të zgjidhej me Avni dëmi që ai i ka bërë këtij vëndi. Sepse kjo do tregonte që ende sot e gjithë ditën shqiptarët nuk janë në gjendje t’i zgjidhin punët tyre me shtet por me Avni.

Një popull që i zgjidh punë me Avni Rustem a me Vasil Laç, tregon që nuk ende nuk është i zoti të bëjë shtet dhe t’i zgjidhë punën me shtet. Se shteti bash për këtë punë shërben, që të na i zgjidhë punët ai e jo Avniu.

Avniu në ‘20-ën thjesht bëri atë që shteti shqiptar nuk kishte as kurajë e as fuqi ta bënte: ta zinte Esad pashanë e ta dënonte për tradhëti.

Nëse në ‘39-ën do ja kishim dalë të bënim shtet e ushtri për së mbari, nuk do kishte qenë e nevojshme pastaj të nxirrnim Vasil Laçin dy vjet më pas për të na zgjidhur hallin.

Ndaj e thashë më sipër atë llafin e rëndë që ne e bëmë deputet Belerin. Se nëse shteti i shqiptarëve do ta kishte dënuar atë kur vrau ushtarët e shtetit të shqiptarëve, sot ai do ishte ende në burgun e shqiptarëve. Madje edhe po të ishte arratisur në Greqi, po të kishim patur shtet prej vërteti, do kishte shkuar ta zinte e ta sillte në thes këtu, ashtu si ç’bënë çifutët me Ajhmanin në Argjentinë, e ta dënonin.

Po shqiptarët veç shtetin e tyre as ja kanë dalë ta ngrenë, e as ja kanë dalë të bëjnë punë.

Ne mirë që shtetin tonë s’ja dalim ta bëjmë, por kemi zell të bëhemi hyzmeqarë të hasmit për të mbaruar punët e tyre.

Kolonelin Tomson më 1914-ën që erdhi të bëjë Shqipëri, nuk e vranë armiqtë e Shqipërisë, por ca shqiptarë gjakprishur.

Edhe gjeneral Telinin që na shpëtoi kufijtë e Jugës më 1923, nuk e vranë grekërit që nuk e shihnin dot me sy, por ca të tjerë shqipo bukëshkalë.

Mund të shtoja këtu edhe Daut Hoxhën, që u bë sebep për Luftën Italo-Greke, se edhe këtë ca shqiptarë pa din e iman e vranë, për të marrë shpërblimin që kish vënë qeveria greke për kokën e tij.

Kemi nxjerrë më shumë Avninj e Vasilër kundër vetë Shqipërisë sesa për Shqipërinë.

Madje edhe Belerin kandidat për kryetar bashkie nuk e vunë grekët, por vetë shqiptarët, apo jo? Shqiptarë qenë ata që e vunë kandidat për kryetar një tjetër shqiptar që e mbante veten për grek. Se të mos u shkojë mëndja që ai është grek. Ja kam thënë në sy që grek me mbiemër Bejleri dhe nga Progonati nuk ka si të ketë! Le pastaj që s’gjen grek t’ia mbajë të kalojë kufinë e të vrasë ushtarët shqiptarë në postën e kufirit. Vetëm një shqiptar gjakprishur mund ta bëjë këtë. Dhe e bëri. Këtë meritë mos ja hiqni të paktën.

Dje vetëm dy shqiptarë kishin vendosur të harxhonin, njëri një gotë kos dhe tjetri një vezë për Belerin. Më shumë kos i jepnim komshiut kur na kërkonte dikur, sesa harxhuam dje për këtë shqiptarin gjakprishur. Por ama blejmë të gjithë flamurë me zhgabë sa herë kemi ndeshje futbolli.

Grekërit asnjëherë nuk janë përpjekur t’i bëjnë punët e tyre me grekër. S’ua ka mbajtur apo për qibarllëk, s’di ta them.

Edhe varret e Këlcyrës, me kocka grash, pleqsh e kalamajsh shqiptarë i kanë mbushur dhe, për më tepër, të mbledhura edhe nga priftër shqiptarë nëpër varrezat e Kosinës së Shqipërisë.

Dhe ju më flisni për Avni e për Vasil. Nuk zgjidhen punë e shekullit XXI me Avni e me Vasil, por me shtet e dinjitet. Hajt të bëjmë shtet e pastaj ta shihni që Avninjtë e Vasilërit do i mbeten muzeut të marrëzive shqiptare të shekullit XX.