Ballina Politika Pensionet, Tabaku: S’duhen trajtuar me partizëm, me 20 lekë në ditë sot...

Pensionet, Tabaku: S’duhen trajtuar me partizëm, me 20 lekë në ditë sot nuk blet as një biletë autobusi

10
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një video të postuar në rrjetet sociale ka deklaruar që çështja e pensioneve nuk duhet trajtuar me partizëm, pasi çmimet e rritura prekin njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët.

“Çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë, sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe, jo më të mbulohen nevojat që kanë sot pensionistët, si ilaçet, ushqimet apo të tjera produkte jetike”, deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se shpërdorimi i buxhetit në 10 vitet e fundit ka arritur shumën prej 8 miliardë eurosh, duke theksuar se ky buxhet mund të ishte përdorur për të rritur pensionet. Tabaku gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të pyesin deputetët socialistë se çfarë mund të blejnë prindërit e tyre me 20 lekë në ditë.

“Nëse duan, paratë për pensionistët i nxjerrin nga dheu. Ky është problemi, nuk duan dhe nuk i rrisin pensionet! ”, përfundoi Tabaku.

Deputetja e PD-së kërkon që pensionistëve t’u sigurohen kushte më të mira dhe mbështetje më e fuqishme ekonomike, duke theksuar se kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet me retorikë politike, por kërkon vullnet dhe vendime të guximshme për të mbështetur të moshuarit.