Ballina Bota Biden “vendos” humbjen e Harris/ Komenti “mbeturina” i presidentit rrezikon votat e...

Biden “vendos” humbjen e Harris/ Komenti “mbeturina” i presidentit rrezikon votat e portorikanëve

10
0

Presidenti Amerikan Joe Biden i dha një goditje të rëndë fushatës presidenciale të demokratëve duke quajtur mbështetësit e Donald Trump plehra. Komentet e Biden rrezikojnë të minojnë mbështetjen e votuesve latinë për Kamala Harris. Kreu i Shtëpisë së bardhë, përshkallëzoi retorikën zgjedhore duke folur për qytetarët nga Porto Riko, pas tubimit e Nju Jorkut në fundjavë ku një komedian mbështetës i Trump tha se ky vend ishte një ishull që noton në Plehra.

Komentet e Biden i cili quajti mbështetësit e republikanit Trump plehra nxitën reagimet e miliona përdoruesve në rrjetet sociale të cilët e quajtën këtë deklaratë të presidentit amerikane fyese dhe të papranueshëm.

“Në shtetin tim të Delaware njerëzit nga Porto Rico janë njerëz të mirë, të denjë dhe të nderuar. E vetmja mbeturinë që unë shoh të qarkullojë në Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit e Trump”, tha Biden.
Menjëherë pas këtij incidenti, presidenti amerikan Joe Biden reagoi në rrjetin social X duke thënë se ai po fliste për retorikën e mitingut në Nju Jork dhe se nuk po mendonte të përdorte gjuhë fyese ndaj askujt.

Në lidhje me komentet e Biden ka reaguar edhe kandidatja demokrate, Kamala Harris. Zëvëndëspresidentja tha se në mënyrë kategorike nuk pajtohet me gjykimin e njerëzve bazuar në atë që ata votojnë.

“Unë nuk jam dakord me ndonjë kritikë ndaj njerëzve bazuar në atë që ata votojnë. Puna ime ka të bëjë me përfaqësimin e të gjithë njerëzve, pavarësisht nëse ata më mbështesin apo jo. Dhe si president i Shteteve të Bashkuara, unë do të jem president për të gjithë amerikanët, pavarësisht nëse votoni për mua apo jo.”, tha Harris.

Ekipi i fushatës presidenciale të republikanit Donald Trump ka deklaruar se ata janë distancuar nga komentet e komedianit Tony Hinchklife mbi Porto Rikon. Trump ndërkohë në mitingun e tij në Pensilvani deklaroi se askush nuk ka bërë më shumë sesa ai për komunitetin latin dhe qytetarët e Puerto Ricos në kohët kur ishte president i SHBA.

“Unë jam shumë krenar që po marrim mbështetje nga latinët si kurrë më parë. Ne po vendosim rekorde. Hispanikët, latinët askush nuk e do komunitetin tone latin dhe komunitetin portorikan më shumë se unë, askush. Eshte interesante sepse unë kam bërë për Porto Rikon më shumë seç ka bërë çdo president tjetër më parë.”, tha Trump.