Ballina Kulturë Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit – një roman enigmatik, i pastrehë...

Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit – një roman enigmatik, i pastrehë dhe i pakohë

37
0

Nga Fatmir Minguli

Romani “Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit” i autorit durrsak Pol Milo, shfaqet si një rrëfim unik dhe provokues, i cili vjen pas suksesit të autorit me romanin “Medaljoni i Dyrrahut”. Kjo vepër e re përfaqëson një përmbysje të normave klasike të romanit, duke dalë jashtë kornizave tradicionale dhe duke shfaqur një stil narrativ që mund të konsiderohet një lloj blasfemie për lexuesit e mësuar me konvencionalen. Ky virtualitet nuk i drejtohet as qiellit, as religjionit, as personave të caktuar. I pakohë dhe i pa strehë, i pavarur nga temat e zakonshme si lufta, politika, apo pushteti, romani “Zbulesa e Vladimir Obradinit” krijon një lloj peizazhi virtual që, edhe pse nuk është konkret, shfaq një pasqyrë të thellë të botës së sotme shqiptare. Ky virtualitet nuk kërkon t’i përgjigjet një force të mbinatyrshme, një feje apo një figure specifike; përkundrazi, është një reflektim mbi atë që mund të quhet e kapshme përmes syve të një personazhi enigmatik e të një rrëfimi që sfidon limitet e zakonshme të kuptueshmërisë. Ky roman i ri që vjen i publikuar nga Botime 2M dhe që do te jetë i ekspozuar në panairin e librit Tiranë 2024, të fton të rrëmosh në brendësi të të panjohurës dhe të sfidës, duke shpalosur një botëkuptim të ri për rolin e individit në raport me botën që e rrethon.  Pol Milo me stilin fluid lodron sa me mendjet e njerëzve të kohës sonë aq dhe me ato të njerëzve të hershëm biblikë, filozofë të lashtësisë nën udhëheqjen e personazhit primar që është Vladimir Obradini. Autori nget një karrocë narrative ku ka “mbrehur” tre personazhe të tjerë me emra njeri më i çuditshëm se tjetri si Mutanov Vitaminovi, Sergei Tallashnikovi dhe Vasiljev Kokoshnikovi. Të katër personazhet luajnë me kohën, hapësirat dhe me fenomenet më të zakonshme njerëzore në rrjedhat e kohëve por loja e tyre është me kapërcime elastike jo vetëm ironike por dhe tragji-komike.  Dashje pa dashje, duket sikur autori Pol Milo lëviz fijet e personazheve marionetë me nënkuptime por asgjë nuk është e lidhur me persona dhe ngjarje reale. Lëvizja e fijeve që lart nga lozha e romanit “Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit” është lëvizje që herë shkon nga apokalipsi biblik e herë në procesin e fotosintezës së klorofilës në fletët-gjethe të letërsisë në përgjithësi. Këto ndërhyrje kirurgjikale që autori i shpall me këtë roman të ri kanë atributin e tronditjes dhe ndikimin nga njëri kapitull te tjetri, saqë lexuesi kërkon të lexojë mes rreshtave… vetëm një empati ndryshe nga normalja mund të japë kënaqësinë e këtij lloj leximi.  Imagjinata krijuese e autorit të romanit “Zbulesa e mrekullueshme e Vladimir Obradinit” të kujton herë Rablenë me Gargantuanë e herë Nikollaj Gogolin me “Shpirtrat e vdekur”. Edhe pse emrat e personazheve janë të një krahu lindor, nuk ka asgjë të çuditshme, përkundrazi lexuesi i vëmendshëm ndjen një lloj flladi të shkrimeve të realizmit socialist në periudhat e kaluara por që regëtijnë në forma të maskuara edhe në ditë të sotme. Është kjo arsyeja që në fillim të kësaj fjale e cilësova këtë roman të ri si enigmatik, pa kohë dhe pa hapësirë.  Ky duhet të jetë dhe thelbi i zbulesës së Vladimir Obradinit, që nëpërmjet pasazheve filozofike dhe kapitujve biblikë të shpalosë mendime për jetën e sotme që e ka sinkronizuar gjithmonë me ide të çuditshme, të habitshme të disa shkrimtarëve apo poetëve të cilët me dashje apo pa dashje janë në pozicionin “vendnumëro” dhe “Gatitu”. Ai duket se lundron në këtë univers, ku idetë e tij bashkohen me mendimet e çuditshme e shpesh të papritura të miqve të tij, të cilët, në rrugëtimin e tyre shpirtëror apo intelektual, mbeten në një gjendje të qëndrueshme dhe nuk pranojnë të lëvizin që aty. “Zbulesa e mrekullueshme e Valdimir Obradovit” është një roman panshqiptar ku personazhet luajnë me filozofinë duke e filluar që nga Aristoteli e Platoni, pa harruar Sokratin e duke ecur në ujëra të thella dhe të cekëta, në retorikën apokaliptike nën ndikimin e botanikës dhe klorofilit.  Pol Milo me këtë roman bëhet kasnec i një letërsie të re, ku ngrihen sipare të një teatri të ri me dialogë të një narrative sa origjinale aq dhe interesante, një narrativë që shfaqet e re në historinë e romanit shqiptar. Çdo personazh në roman është një zëdhënës teorish, që “regjisori”, debatet e tyre, i sistemon në sirtarët e hapura të skenarëve të sotëm dhe të ardhëm, që nuk janë gjë tjetër veçse kapitujt e vetë romanit.