Ballina Dossier HISTORI/ Rënia e Murit të Berlinit dhe lindja e Evropës së re

HISTORI/ Rënia e Murit të Berlinit dhe lindja e Evropës së re

22
0

Ajo u bë data simbol e shembjes së bllokut Lindor: 9 nëntor 1989. Atë ditë (në të vërtetë, atë mbrëmje), Muri i Berlinit filloi të shembet. Që nga viti 1961 kishte ndarë qytetin gjerman në dy pjesë dhe për 28 vjet kishte qenë simbol i Luftës së Ftohtë. Por kjo ngjarje me përmasa historike, ishte vetëm hapi i fundit i një revolucioni të heshtur, që po zhvillohej prej muajsh. Dhe fryt i një keqkuptimi.

HEMORRAGJIA

Opozita e brendshme në RDGJ (Republika Demokratike Gjermane pro-sovjetike) për dekada e shtypur nga STASI, policia politike në vend, u shndërrua në një lëvizje masive në pranverën e vitit 1989.

Kishat protestante vepruan si një katalizator (dhe vendtakime të toleruara nga regjimi). Qindra njerëz u mblodhën në mënyrë paqësore, me dritën e qirinjve, në kishat e Leipzigut dhe Dresdenit. E megjithatë, disa muaj para nëntorit fatal, presidenti i Gjermanisë Lindore, Erich Honecker, ende besonte se Muri do të qëndronte aty edhe “për njëqind vite të tjera”. Ai nuk e dinte që Hungaria do të njoftonte hapjen e kufirit të saj me Austrinë atë verë: dhjetëra-mijëra gjermanë të Lindjes shkuan në Perëndim përmes Hungarisë, aty ku kishin liri lëvizjeje.

TE GJITHE TE LIRE

Për të frenuar arratinë e njerëzve, presidenti i ri Egon Krenz (Honecker kish dhënë dorëheqjen në 18 tetor) vendosi të lëshojë leje kalimi të reja për në Gjermaninë Perëndimore. Por ngjarjet e parakaluan. Në pasditen e 9 nëntorit ministri i Propagandës, Guenter Schabovski tha në një konferencë shtypi: Eshtë marrë vendimi për të hapur postblloqet. Nëse jam informuar saktësisht, ky urdhër hyn menjëherë në fuqi.

Por Schabovski sapo ishte kthyer nga pushimet dhe ishte informuar keq: në të vërtetë vendimi nuk ishte marrë ende. Por fraza e tij tingëlloi si një thirrje “të gjithë të lirë” për qytetarët berlinezë, që i gjetën rojat kufitare pa urdhëra të qarta. Dhe i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë, planifikuar prej kancelarit gjermano perëndimor, Helmut Kohl.

FUNDI I ÇEKOSLLOVAKISË

Ishte një Tiananmen Evropian, por përfundoi mirë. Nëse protesta paqësore e studentëve në Pekin, e prill-qershorit 1989 ishte shtypur me gjak, ato të studentëve të universiteteve të Bratislavës dhe Pragës më 16 dhe 17 nëntor sollën (pavarësisht pranisë së policisë në kryeqytet) fundin pa gjakderdhje të socializmit të vërtetë në Çekosllovaki.

Që në mars studentët kishin organizuar protesta në disa kisha. Atyre u bashkuan shumë shpejt disidentë dhe qytetarë të thjeshtë, që ishin kundërshtarë të qeverisë. Mes nëntorit dhe dhjetorit, manifestimet (gjithmonë paqësore) u shumëfishuan: pothuaj një milionë njerëz u derdhën në rrugët e Pragës. Në 5 dhjetor u hapën kufijtë me Austrinë dhe Gjermaninë Perëndimore, dhe pesë ditë më vonë presidenti komunist Gustav Husak dha dorëheqjen, pasi kish emëruar një qeveri jokomuniste. Udhëheqja e vendit iu besua Aleksander Dubçekut (udhëheqës i Pranverës së Pragës në vitin 1968) dhe dramaturgut Vaslav Havel (që në 1977 kishte hartuar manifestin e disidentëve Karta 77, duke e paguar këtë veprim me pesë vite burgim). Havel u zgjodh më pas president në zgjedhjet e 1990, të parat zgjedhje të lira që nga viti 1946.

TE NDARE

“Revolucioni i kadifenjtë” (shprehje e pagëzuar nga një gazetar çek) u pasua nga ndarja konsensuale mes dy rajoneve historike të Çekosllovakisë (të bashkuar që në 1918, për të ndryshme etnikisht), që federalisti Havel kërkoi më kot ta shmangë. Kështu në 1 janar 1993, lindën Republika Çeke dhe Sllovakia.

FUNDI I POLONISE

Në verën e vitit 2008, në Varshavë ndodhi një proces që kaloi pothuaj pa u vënë re: protagonistë dy armiq historikë, të njëzetë viteve më herët. Në bangën e të akuzuarve ishte gjenerali 85-vjeçar Vojciech Jaruzelskti, presidenti i fundit i Polonisë komuniste dhe në karriken e dëshmitarëve Lech Valesa, udhëheqësi i sindikatës katolike Solidarnosc dhe fitues në vitin 1989, i të parave zgjedhje të lira që nga viti 1952, data e lindjes së Republikës Popullore Polake, vend satelit i BRSS.

SOLIDARITETI

Jaruzelski gjykohej për ngjarjet e vitit 1970, kur si Ministër i Brendshëm, urdhëroi të qëllohej mbi punëtorët në grevë. Vdiqën 40 prej tyre. Por ai proces përshkoi edhe etapat e kthesës demokratike në Poloni, një kazmë vendimtare ndaj murit filosovjetik: lindja e Solidarnosc-it në vitin 1980, opozita jo e dhunshme e punëtorëve në kantieret e Gdanskut, roli vendimtar i papës polak Vojtila në shembjen e regjimit, financimet e Vatikanit (dhe sipas disave edhe të CIA-s) për sindikatën, përplasja me Moskën, dhe tratativat e fshehta mes Jaruzelskit dhe opozitës.

DREJT PERËNDIMIT

Të gjithë pasazhe që mbetën në hije prej entuziasmit për fitoren e Solidarnoscit në zgjedhjet parlamentare në 1989, gjë që solli dorëheqjen e Jaruzelskit, zgjedhjen e Valesës president të Polonisë në 1990 dhe një fazë tranzicioni demokratik që e pati kulmin me anëtarësimin në NATo në vitin 1999 dhe Bashkimin Evropian, në 2004.

HUNGARIA

1989-a hungareze, një moment kyç për shembjen e Murit të Berlinit, mund të jetë e gjitha meritë e një dige që nuk u ndërtua kurrë. E ka hedhur këtë tezë biologu dhe udhëheqësi ambientalist Janos Vargha. Ndoshta është ekzagjerim, por është e vërtetë që manifestimi më i madh kundër qeverisë komuniste hungareze ishte pikërisht ai i vitit 1988 (50 mijë njerëz në shesh në Budapest) kundër ndërtimit të një dige shumë të madhe në Danub, e cila u bë simbol i përkuljes së pushtetit përballë vullnetit të qytetarëve.

KUFIJTË E ZHDUKUR

Nën presionin e protestave popullore dhe kundërshtimit të brendshëm politik, krahu reformist i qeverisë fitoi terren në vitin 1988, i frymëzuar nga perestrojka ruse e Mikhail Gorbachevit: ligji i ri zgjedhor, liria e shtypit dhe shoqatave, multipartitizmi. Por masa e parë e qeverisë së re të betuar në maj 1989 ishte pikërisht anulimi i projektit të digës së Danubit, duke prishur traktatin e bashkëpunimit me Çekosllovakinë fqinje.

Vetëm në gusht u vendos të hapet kufiri me Austrinë, gjë që bëri që të shembet një digë tjetër: ajo e gjermanëve që iknin nga RDGJ në Perëndim. Dy muaj më vonë, parlamenti votoi për një kushtetutë të re liberale dhe demokratike, dhe më 23 tetor (përvjetori i kryengritjes hungareze të vitit 1956, e shtypur brutalisht nga tanket sovjetike) lindi Republika e Hungarisë.

KOLAPSI I DHUNSHËM I RUMANISË

Revolucioni rumun ishte sigurisht më pak i kadifejti. Protestat kundër udhëheqësit (diktatorit) Nicolae Ceaușescu dhe Securitates së frikshme, policisë politike, filluan më 16 dhjetor në qytetin Timishoara: preteksti ishte dëbimi i një pastori të Kishës Hungareze të Reformuar. Protagonistët ishin, si në Çekosllovaki, studentët, të cilëve iu bashkuan shpejt edhe punëtorët. Regjimi reagoi duke qëlluar ndaj demonstruesve (të cilët tundnin flamuj nga të cilët kishin hequr çekiçin dhe draprin). Për më tepër, revolta u ndërthur me një përpjekje për grusht shteti.

TRANSMETIM DIREKT

Më 21 dhjetor, diktatori u përpoq të rimarrë kontrollin e situatës me një fjalim në Bukuresht, në transmetim drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. Por, në ekranet duartrokitjet e imponuara turmës (sheshi kontrollohej nga ushtarë me armë drejtuar turmës) u zëvendësuan me fishkëllima me zë të lartë. Transmetimi u ndërpre, shpërtheu kaosi dhe, për atë çfarë ndodhi më pas, rindërtimet e ngjarjes janë kontradiktore. Kishte të shtëna armësh, shumë njerëz vdiqën (nuk u sqarua kurrë sa) dhe revolta u përhap në vend deri më 27 dhjetor, kur Fronti Kombëtar i Shpëtimit i Ion Iliescut, armiku politik i Ceaușescut dhe presidenti i ardhshëm, mori kontrollin duke shtypur kërkesat e mëtejshme për reforma dhe demokraci. Pas një arratie rokamboleske me helikopter dhe makinë, udhëheqësi u arrestua bashkë me gruan e tij. Të dy u gjykuan në mënyrë shpejtë nga një gjykatë ushtarake dhe brenda një ore u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.

Ishte Dita e Krishtlindjes 1989.

SHPERTHIMI SË BRENDSHMI I BRSS

Qendra e perandorisë shpërtheu gjatë verës, më pak se dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit.

Në krye të Bashkimit Sovjetik ishte Michail Gorbaçov, i cili kishte provuar ta mbante Bashkimin Sovjetik të bashkuar me një politikë reformash (perestroika). Më 19 gusht 1991, ndërsa ishte me pushime në Krime, Gorbaçovi u arrestua: konservatorët komunistë po provonin një grusht shteti, shpallën një president të ri (Gennadij Janaev) dhe i komunikuan kombit krijimin e një komiteti të shëndetit publik.

AUTONOMIA

Por organizatorëve të grushtit të shtetit iu kundërvu presidenti i Rusisë, Boris Jeltsin, që u vendos në selinë e parlamentit rus “Shtëpia e Bardhë” e Moskës dhe mori në dorë situatën: ai u ngjit në njërin prej tankeve para parlamentit të Moskës dhe mbajti një fjalim, i cili do të bëhej fati i tij mediatik dhe politik: ushtria (me shumicën e rusëve) kaloi në anën e tij, liderët e grushtit të shtetit u arrestuan, në 24 gusht Partia Komuniste Sovjetike u shpërbë dhe Rusia shpalli pavarësinë e saj nga BRSS. Gorbaçov u detyrua të jepte dorëheqjen dhe më 26 dhjetor BRSS pushoi së ekzistuari.

RIKTHIMI I “CARIT”

Por në tetor 1993 Shtëpia e Bardhë e Moskës ishte përsëri e sulmuar: këtë herë ishte vetë Jeltsin ai që kishte bombarduar, duke shpërbërë parlamentin rus, në kundërshtim me reformat e tij presidenciale. Me përkuljen e rezistencës parlamentare, Jeltsin u shndërrua në “Car Borisi”: për gjashtë vjet do të ishte presidenti i Federatës Ruse, e lindur me referendumin kushtetues të 13 dhjetorit 1993. / Bota.al