Ballina Europë Protesta para gjykatës skoceze ku kërkohet ndalimi i impjanteve të naftës e...

Protesta para gjykatës skoceze ku kërkohet ndalimi i impjanteve të naftës e gazit në Detin e Veriut

16
0

Dhjetra të rinj protestues ishin mbledhur sot në kryeqytetin skocez Edinburgh para gjykatës ku dy grupe mjedisore po sfidojnë kompanitë energjitike Rosebank e Jackdaw në ndërtimin e impjanteve të naftës e gazit në Detin e Veriut.

Grupet e aktivistëve ‘Uplift’ e ‘Greenpeace’ kanë ngritur ankesën ligjore duke argumentuar se qeveria britanike ka dhënë ilegalisht lejet për operatorët e energjisë.

“Me mijëra nga ne në të gjithë Britaninë duam të ndalojë ky projekt energjitik,” tha aktivistja e Uplift, Lauren MacDonald.

Avokatja Ruth Crawford, e grupit Greenpeace, tha se është pranuar se “të gjitha vendimet e marra për Jackdaw e Rosebank janë të paligjshme pasi nuk janë llogaritur emetimet e gazeve, sipas dokumenteve të palëve”.

Crawford nxiste gjykatësin Andrew Stewart të mos merrte parasysh deklaratat e kompanive për kostot e tyre në rast të pezullimit të punimeve.

Grupi Shell, i cili zotëron impjantin e gazit natyror të Jackdaw, në ujerat rreth 250 kilometra larg qytetit skocez të Aberdeen, tha se ndalimi punës së impjanteve është “një proces shumë kompleks e me vështirësi teknike, tani që infrastruktura është instaluar dhe shpimet kanë nisur”.

Prodhimi do të nisë vitin që vjen dhe Shell thotë se do të japë energji për të ngrohur 1.4 milionë shtëpi në Britani, shkruan rrjeti AFP.

Gjyqi pritet të zgjasë katër ditë dhe një vendim në favor të aktivistëve do të bënte që kompanitë të rishikojnë dokumentacionin e ofruar për lejet.

Qeveria aktuale thotë se lejet ishin dhënë nga pararendësit e tyre konservatorë, shumë prej të cilave do të rishikohen.