Ballina Opinion Nëntori IV në nëntorët e mëdhenj të shqiptarëve…

Nëntori IV në nëntorët e mëdhenj të shqiptarëve…

20
0

Nga Abdurrahim Ashiku

Ngjarjet më të mëdha në historinë e popullit shqiptarë kanë ndodhur në nëntor në atë masë dhe përmasë në kohë e hapësirë sa mund të themi se Nëntori është muaji më i bekuar. Më 28 nëntor 1443, Gjergji i Gjon Kastriotit, pasi zbriti në vendlindjen e tij, në Dibër, me treqind kalorësit e tij më besnikë, pasi mblodhi një çetë (nuk është koha të themi ushtri) të madhe bashkëfshatarësh e bashkëkombës të tij, do të ngrinte flamurin e kuq me shkabën dykrenore në bedenat e Krujës…Simbolike, me vlerë për të gjithë kohërat, vjen në ditët tona fjala e tij…”Lirinë nuk e solla unë, atë e gjeta mes jush”… Do të kalonin plot 469 vjet robëri dhe errësirë osmane derisa Plaku i Shqipërisë Ismail Qemali do të ngrinte në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore. Simbolike, me vlerë për të gjitha kohërat, vjen “sekreti” i kësaj dite, Ismail Qemali kishte nxituar nga një kontinent në tjetrin, nga njeri shtet në tjetrin për të arritur në Vlorë dhe për të përjetësuar atje Nëntorin e Dytë… Shqipëria do të kalonte në dallgë të mëdha, dallgë që “Deti i egër i Londrës 1913” do ta ndante siç ndahet berri mes për mes shtyllës kurrizore, do ta ndante në atë masë sa kryeqendrat e krahinave më në zë në historinë e kombit- Prizreni, Dibra, Gjakova, Struga… do të viheshin në gijotinën e kohës për tua kaluar “kokën” nën Serbi e trupin nën Shqipërinë e sakatuar.  Sot flitet me zë të lartë për “Murin e Berlinit” kur në të njëjtën kohë, me të njëjtin zë të fortë duhet të flitet edhe për “Murin Shqiptar”, mur i cili do të thyhej vonë, tash kur Kosova u bë Republikë. Shqipëria, pas pushtimit fashist më 7 prill 1939 do të njihte organizimin më të madh mbarëpopullor “pa dallim feje, krahine e ideje” për të arritur më 17 nëntor 1944 në Çlirimin e Tiranës dhe më 29 Nëntor 1944 në Çlirimin e Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë. Simbolike, me vlerë për të gjitha kohërat, është se partizanët trima shqiptarë, mbi shtatëdhjetë mijë, e radhitën Shqipërinë midis fitimtarëve të mëdhenj antifashistë duke u prerë rrugën orekseve të vjetra për cungime të tjera të asaj gjysmë Shqipërie që mbeti nga Konferenca e Londrës dhe “konferencat” e tjera… Dhe ja ku erdhi një tjetër Nëntor, NËNTORI IV, 8 Nëntori i vitit 2010, dita kur u vendos që shqiptarët të lëvizin lirshëm, pa vizë e pa pengesa nëpër Evropën plakë, nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Është ky Nëntori më pranë shqiptarëve, më i kapshëm për të gjitha moshat, Nëntor që duke ia kaluar stafetën Dhjetorit do të hapë dyert e mbyllura për dekada të tëra.  Nuk ka më radhë nëpër ambasada, radhë të lodhshme fizikisht e shpirtërisht.  Nuk ka më kolona ikanakësh me një torbë me bukë në krah në kapërcime malesh me dëborë, lumenjsh të fryrë nga reshjet, fshehur zabelesh e fushash arash me misër… Shqiptarët tashmë mund të thonë me plot gojën: KURRË MË VIZA.