Ballina Kosovë Masat e BE-së ‘mbysin” ekonominë e Kosovës

Masat e BE-së ‘mbysin” ekonominë e Kosovës

10
0

Rreth gjysmë miliard euro ka humbur Kosova nga masat e Bashkimit Evropian, të cilat prej një kohe të gjatë po e sfidojnë Kosovën. Qeveria thotë se i ka përmbushur të gjitha obligimet e përcaktuara nga BE-ja për heqjen e masave, ndërkaq opozita fajëson pushtetin që nuk ishte e zëshme për largimin e tyre.

Janë bërë pesë muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës por ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. BE-ja thotë se i mbetet Këshillit Evropian të vendos për heqjen e tyre por nuk ka saktësuar një afat kohor.

Qeveria e Kosovës ndërkohë vlerëson se BE-ja nuk ka arsye që të mbajë masat në fuqi. Deputeti i shumicës parlamentare, Driton Hyseni tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për deeskalim të situatës në veri të vendit, kthimin e normalitetit dhe integrimin e serbëve atje.

“Në vazhdimësi apelojmë që këto masa të hiqen sepse kanë qenë të panevojshme. Që nga fillimi Republika e Kosovës me gjithë procesin dialogues sa i takon tendencës së normalizimit në Republikës së Serbisë kemi qenë pala konstruktive dhe në këtë drejtim BE-ja duhet të jetë mekanizmi i cili e sheh me sy të mirë qasjen e Kosovës. Masat e tilla janë të panevoshme dhe derisa ato qendrojnë po e rëndojnë qasjen e BE dhe frymën e vlerave që ajo i promovon dhe i lartëson”, tha Hyseni.

Derisa partia në pushtet mburret se ka kryer të gjitha obligimet për heqjen e masave të BE-së, deputeti i AAK-së Pal Lekaj e akuzon atë se nuk ka pasur vullnet politik.

“Këto masa kanë pasur impakt negativ në ekonomi nuk është një shumë e vogël është diku rreth 300 milionë euro humbje. Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm dhe i ka injoru kërkesat e ndërkombëtarëve edhe pse ndoshta ndonjëherë kanë dhënë përshtypje që janë të tepruara por një Qeveri që don dialog është dashtë që të ketë një stratregji dalëse dhe mos të ngecim kaq shumë edhe në dialog por edhe në zhvillimin ekonomik dhe që të hjeken sanksionet”, tha Lekaj.

Masat e BE-së u vunë në qershorin e vitit të kaluar me tensionet e krijuara në veriun e vendit pas përpjekjeve për dërguar në zyrat komunale kryetarët e zgjedhur. Një numër i forcave paqeruajtëse të KFOR-it u lënduan në përplasje me protestuesit serb që përdorën forcën ndaj tyre. Masat e BE-së prej muajsh kanë shkaktuar dëm ekonomik, social dhe politik, thotë njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri.

“Edhe bizeneset edhe qytetarët e Kosovës janë dëmtu sepse është prit që në këto projekte të ketë investime në energji, pastaj ka projekte të cilat janë në infrastrukturë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe çdo vonim i tyre është jashtëzakonishtë i dëmshëm. Llogaritet dikun që rreth gjysmë miliard euro Kosova ka humbur nga këto masa”, tha Beqiri.

Burimet diplomatike në BE thonë se në diskutimet e fundit për çështjen e masave shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së tyre. Por thuhet se një pjesë e vendeve anëtare kanë kundërshtuar heqjen e tyre duke kërkuar më shumë rezultate konkrete në terren nga Qeveria e Kosovës.