Në datat 28 dhe 29 nëntor vendi ynë feston dy ngjarje historike, 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe 80-vjetorin e Çlirimit.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale nënvizon se e nga data 21-30 nëntor do të zhvillohen një seri aktivitetesh kushtuar Javës Kulturore Kombëtare, Shqipëri – Kosovë.
“Java Kulturore Kombëtare, Shqipëri – Kosovë. Festojmë dy ngjarje historike; 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe 80-vjetorin e Çlirimit”, – shkruan Kryeministri Edi Rama.
Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme do të përmbyllen me Kosovën që sëbashku me vendin tonë, nga data 21 deri më 30 nëntor do të organizojnë një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Aktivitetet nisin me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.
Fëmijët do të kenë mundësi të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik te bibliotekarit. Gjithashtu të shikojnë nje video dokumentar mbi GKA ku do njihen me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe do të diskutojnë rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e Artit Figurativ.
Aktivitetet do të vijojnë me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale që do të hapet më 22 nëntor në teatrin Aleksandër Moisiu dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës. Biseda-Ekspozitë me Artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovon artin bashkëkohor kosovar dhe thekson rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.
Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet në hollin koncertor të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet koncerti “Side by Side”. Do të jetë sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak që do të sjellin një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.
Kurse më 23 nëntor, tek Piramida do të mbahet Projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri që synon të adresojë sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët të përballen më mirë me këto probleme.
Më 25 nëntor, në ora 11:00, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të keni mundësinë të shikoni koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të çlirimit. Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri do të mbahet sfilata “Krenari mbi supe” që do të sjellë punime të kostumeve tradicionale nga Fëmijët e Kursit të Kostumografisë. Ndërsa në orën 18:00, në ArTurbina në Tiranë do të mbahet koncerti “Jehonë Shqiptare” që do të ngjisë në skenë artistë profesioniste që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ndërsa në orën 19:00 te Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, do të mbahet opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit.
Kurse nga data 26 deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare do të çelet një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të së cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.
Shkodra Elektronike, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, do të gjallërojnë Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.
Po ashtu, kjo ditë do t’i përkushtohet dhe gastronomisë. “Shije Shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare do të jetë një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të do të mbahet koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” që do të performojnë këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar. “Tingujt që sollën lirinë” do të jetë koncerti që paralelisht në këtë ditë do të mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit do të jetë edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, do të vendosë në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, organizohet po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar do të jetë e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha. Ekspozita që sjell 25 fotografi bardhezi i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me datë 28 nëntor të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet premton shumë emocione.
Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk do të mungojnë as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që do të transmetohen në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.
Java Kulturore e Kosovë – Shqipëri do të përmbyllet me festivalin “Tirana Art Weekend”, që do të mbahet nga datat 29 nëntor deri më 2 dhjetor tek shtëpia e të përndjekurve në Tiranë. Ky aktivitet bashkon aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.
Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.
Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e BRamaashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbyll këtë edicion të tretë. /atsh/