Ballina Ekonomia Shumë të ardhura pak shpenzime! Suficiti arrin në 720 mln euro, në...

Shumë të ardhura pak shpenzime! Suficiti arrin në 720 mln euro, në 10 muaj u mblodhën 5.8 mld euro!

8
0

Po mblidhen miliona euro më shumë se pritshmëritë nga tatimet dhe taksat, por nuk po shpenzohen me të njëjtin ritëm. Shifrat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se suficiti në 10 mujorin e këtij viti arriti në 720 milionë euro. Në raport me vitin e kaluar suficiti u rrit me 240 milionë euro.

Ministria e Financave thotë se gjatë dhjetëmujorit të këtij viti janë mbledhur mbi 5.8 miliardë euro ndërkohë që janë shpenzuar 5.1 miliardë euro, duke bërë që suficiti të jetë në vlerën rekord prej 720 milionë euro.

Ky zgjerim i suficitit është ndikuar si nga rritja e të ardhurave për shkak të performancës pozitive të ekonomisë, rritjes së të ardhurave nga doganat dhe tatimet por nga ana tjetër ndikim ka dhënë edhe mosrealizimi i shpenzimeve të planifikuara.

Referuar treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, nga janari deri në tetor edhe pse janë shpenzuar 330 milionë euro më shumë se vjet, përsëri vlera e shpenzimeve prej 5.1 miliardë euro është sa 70% e planifikimit të qeverisë.

“Shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 70.1 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 67.0 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024”, thotë Ministria e Financave.

Ndërsa sa i takon të ardhurave, ato janë rritur me 580 milionë euro në raport janar-tetor 2023, dhe deri në mbyllje të vitit pritet që të ardhurat e mbledhura të arrijnë në rreth 7.1 miliardë euro ndërsa shpenzimet në 7.7 miliardë euro.

Kjo rritje e të ardhurave gjatë këtij dhjetëmujori pritet të shpërndahet me rishikimin që do të pësojë buxheti i shtetit në muajin dhjetor ku do të jepen 100 milionë euro për pensionistët, si dhe do të alokohen fondet për fermerët.