Ballina Kulturë Gomari i çalë

Gomari i çalë

27
0

Nga Murat Aliaj

Gjithë jetën nuk m‟u hoq nga mëndja ajo ditë e tepërt. E zbrazët, pa një dëshirë e një shpresë. Ditë kot, nga ato që ta bëjnë jetën të mërzitshëme e të vrasin çdo mendim. E tillë shkrepi qysh në mëngjes. Me vranësira në qiell dhe zymtësi në shpirt. Kishte me vete diçka paradoksale, si një e djelë e ardhur para të shtunës. Si e tillë, prej saj duhej ruajtur. Thuhet se në ditë të tilla ndodhin edhe gjëmat. Ajo dukej si e ardhur jashtë radhës, ndaj duhej shpenzuar sa më shpejt. Isha i ri dhe s‟mund t‟ia dija vlerën kohës. E shpenzoja si të më vinte për mbarë. Atë ditë zgjodha një mënyrë të çuditshëme që s‟e kisha bërë kurrë; të shkoja në pazarin e arixhinjve, mbase sajoja andej ndonjë idil. Mora rrugën për në pazar. Ai shesh i gjërë buzë lumit, përbënte të vetmen zbavitje. Nga larg më thirrën zhurmat e sazeve dhe defave, që binin pa ndonjë rregull. Thjesht për të bërë zhurmë, për të tërhequr vëmëndjen e për ta ndezur pazarin. Diku në një kënd poshtë tendës së rrapit, disa fëmijë kërcenin dhe këndonin të shkujdesur. Diku përtej dy çamarrokë grindeshin me njeri – tjetrin e mbërtheheshin për fyti, thua se pas pak do iu shkonte gjaku deri në gju. Në një treg të tillë nuk mungon asgjë. Që nga lugët, tenxheret, tiganët e kazanët, prodhime të duarartëve arixhinj që dinin si duhej nxjerrë buka e ditës, e deri tek Romeot e Zhulietat përcë- llakë, apo Jul Qezarët e Mark Antonët, që vringëllinin armët, sikur do të bënin hatanë. Bëra një shetitje nga kreu i pazarit deri në fund të tij. Ai fillonte me tregun e kafshëve, mushkave e gomerëve të cilat për këtë ditë i zbukuronin me vargje rruazash, që ua shkonin rreth qafës. Dhëmbët ua zbardhnin me sodë buke dhe lëng të bardhë gjembaçësh, kurse jelet ua krihnin e ndonjëherë ua bënin gërshet, që të linin përshtypjen tek blerësit, se këto kafshë ishin rritur të lira në natyrë dhe ishte krim të guxoje t‟iu vendosje samarin përsipër. Por unë e dija mirë, se me të mbaruar tregu, ata jo vetëm që ua vinin samarin sipër, por ngarkonin mbi to gjith ç‟kishin e ku kishin. E si të mos mjaftonin ngarkesat, hypnin edhe vetë e kapardiseshin mbi kafshët e gjora. Më tej pazari vazhdonte me prodhimet e mjeshtrave. Ishin punime llamarine e bakri. Enë guzhine dhe orendi shtepijake, për të cilat ndjente nevojë çdo familje. Ato fillonin nga xhezvet e kafes, tasa, tepsi e kusi dhe përfundonin me kazanët e rakisë. Në të tillë pazar, kaq të larmë, ia vlente të vije qoftë edhe thjesht për të hedhur një vështrim, por ishte e pamundur të dilje, pa blerë diçka. Kur arrita në këtë pjesë të pazarit, më mbetën sytë tek një xhezve bishtgjatë dhe jo më pak tek shitësja e saj. Thërriste në kupë të qiellit për të reklamuar gjërat e saj. Kishte një tingëllim aq të veçantë zeri i saj, sa në kushte të tjera mund të ishte një soprano e mrekullushme. Edhe pse e mbuluar në pjesën e sipërme të kokës, dukej që ishte në moshë të re. Nuk ka gjë më të vështirë, se sa të përcaktosh moshën e këtyre njerëzve, por duke e parë me vëmëndje, krijova përshtypjen, se nuk duhej t‟i kishte kaluar të njëzetat. I ra në sy vëmëndja ime dhe më thirri t‟i shihja sendet e saj. Më siguroi se do i merrja lirë. Ishte e pamundur të shkoje mospërfillës përpara buzëqeshjes së saj. Iu afrova dhe e mora në dorë një xhezve teke, me bisht të gjatë. Në përgjithësi s‟kam qënë admirues i kafes, por disi duhej gjetur mënyra, për ta hapur bisedën. Ndërsa ajo e pati më të lehtë për ta coptuar mëdyshjen time: –Merre të keqen, se më të mirë nga kjo, nuk ke për të gjetur! I ka bërë Qanua me merak. Nuk e pyeta se kush ishte Qanua, por e mora me mend se duhej të ishte një i panjohur për mua dhe i rëndësishëm për të. – Sa kafe mund të bësh me këtë? – pyeta kot, sa për të vazhduar bisedën. –Sa të ngopësh gjithë fshatin të keqen, tha ajo. – Po e deshe më të madhe, kemi edhe të tjera. –Unë nuk ia them për punët e guzhinës. Do desha ta pija një kafe nga dora jote. –Sa të duash, të keqen. Të të bëj unë një kafe që të mos e harrosh gjithë jetën. Kur të mbarojë pazari, vemi në vilën time dhe të kënaq unë jo vetëm me kafe. –Me se tjetër do më kënaqësh? –Me përqafime dhe puthje, të keqen. Ku kam patur ndonjëherë unë të tillë fat, që të njihem me djalë kaq të bukur. Ja, të tillë njerëz të gëzuar janë arixhinjtë. Unë duhej të isha menduar ditë të tëra, për të formuluar mënyrën si t‟ia bëja pro- pozimin për të fjetur një natë me të, kurse ajo tërësisht e shpenguar e shkrepi, si të ishte fjala thjesht për të pirë një kafe. Ajo po më ftonte në vilën e saj dhe unë vura buzën në gaz. Vila e saj duhej të ishte nga ato të rrallat, që nëpër mure ka të varur tenxhere dhe kusira. Asnjëherë nuk kisha patur rastin të vizitoj të tilla vila. E merrja me mënd se për ç‟vilë bëhej fjalë, por është tjetër që të marrësh me mënd, e tjetër gjë të shkelësh në të. Dhe thonë pastaj që dita e mirë duket qysh në mëngjez! Ajo ditë që në mëngjez më ishte dukur e zbrazët dhe kotë, ja tek po kthehej në një nga ditët më të bukurat. Vetë i kemi në dorë për t‟i bërë ditët si të na i dojë shpirti. – Unë quhem Hasan, i thashë. – Po ti? –Unë quhem Bejullu, por shkurt më thërrasin Buju. –Në ç‟kohë e mbaroni tregun? – E pyeta duke ndier se do e kisha të vështirë t‟i shtyja ato orë. – Kur të mbarojë, tha ajo. – Kur marrim këtë rrugë asnjeri nga ne nuk shikon orën. Shikojmë vetëm xhepin. –Unë do të pres kurdo që të mbarojë dhe pastaj do shkojmë bashkë që të provojmë xhezven. –Mirë të keqen, por ama xhezven duhet ta blesh qysh tani, se më vijnë klient të tjerë dhe ma marrin e pastaj nuk kemi ç‟të provojmë. Ti e shikon që prodhimet tona nuk bien në shesh. –Sa kushton? –50 lekë. I dhashë 70 lekë dhe e mora xhezven. Pastaj u ndamë përkohësisht, duke i lënë të kuptonte, se atë natë do e kalonim bashkë. Ajo u ndie e lumtur dhe më përcolli me buzëqeshje, duke më thënë: –Vetëm mos u mërzit të keqen, se dita e verës është edhe më e gjatë se lumi. “Si të mërzitem duke pritur një margaritar të tillë, që s‟të bie lehtë në dorë” desha t‟i thoshja, por vetëm buzëqesha i lumtur dhe bëra tutje, duke dëgjuar fjalët e saj që edhe pse i tha me zë, dukej se ia thoshte vetes, njësoj sikur vazhdonte reklamën e ndërprerë për tepsitë dhe tiganët: –Të keqen e fatit që ma bie vet njeriun e mirë në derë. T‟i bëj kafen me dorën time dhe pastaj, le të vdes e lumtur. Zhurma e tregut sa vinte e bëhej më çoroditëse. Ustallarët e tregjeve zhurmën e kanë treguesin më të mirë të një dite të suksesshme pazari. Mundet vërtet që nga mallrat e tyre të mos fitojnë aq sa kanë llogaritur, por ama zhurma nuk duhet të pushojë. Prej kësaj zhurme duhet të kuptohet sikur ata kanë fituar dyfishin. Vetë mënyra e të menduarit e fton klientin, zhurma e huton dhe pastaj dihet përfundimi. Digjesha i tëri nga padurimi. Isha bërë si një violinë e tendosur, që nxirrte tinguj të ç‟akorduar me lëvizjen më të lehtë. U ula në një sop, larg zhurmës marramëndëse të tregëtarëve dhe po shikoja me vëmëndje xhezven, si të doja të zbuloja tek ajo sekretin e gëzimit dhe lumturisë së këtyre njerëzve. Ajo ishte një xhezve e zakonshme. Mbi faqen anësore ishte skalitur pa shije një lule, kurse bakrin e fundit, po ta shtypje pak me forcë, mund të të mbetej në dorë, por mua më dukej si vepër arti, pasi atë e kishte prodhuar Qanua, ustai i Bujusë. Po kush ishte ky Qano? Ishte një apo një vargan ustallarësh, që merreshin vetëm me këtë punë, këtë s‟mund ta merrje vesh. E dinte vetëm Bujuja që kishte bërë marrveshje me ta, për t‟i nxjerrë në treg, duke i përgjysmuar fitimet. Ç‟m‟u ngulën në mëndje këto vogëlsi, që kishin të bënin me mënyrën e tyre të jetesës, kur mua më mbante të mbërthyer tjetër gjë? Më mbanin sytë shkrepëtitës të Bujusë, që më kishin rrufitur të tërin. Sado e gjatë të ishte dita, dikur ajo do mbaronte, duke ia lënë vëndin lumturisë sime. Do shkonim në vilën e saj prej kashte. Me yjet e largët që do rrëzoheshin mbi ne. Mendoja sa e nxehtë duhej të ishte në krevat Bujuja! Ajo flakërimë që shpërthente prej vështrimit të saj, ishte vetëm një rreze nga zjarri, që digjej në shpirtin e saj. Nisi të thyhej dita dhe tregëtarët e lodhur i ulën pak tonet. Disa të paduruar që nuk shihnin ndonjë shpresë fitimi për minutat e fundit, i ngarkuan kafshët dhe morën rrugët e pluhu- rosura të kthimit. Ata siç vinin nga drejtime të ndryshme, po kështu shpërndaheshin. Njëri nga lindte e tjetri nga perëndonte, duke e fshehur veten mes reve të pluhurit, që ngrinin këmbët e kafshëve. Shumica ndiqte dy drejtimet e lumit: rrjedhjen dhe derdhjen. Me hapa të ngadaltë nisa të bëj për nga Bujuja e cila duhej të kishte filluar të mblidhte gjithë ç‟i kishin mbetur pa shitur. Ishte aq e rrëmbyer në punë, sa s‟e pa të udhës të më buzëqeshte dhe të më ftonte me fjalë të përzëmërta, siç kishte bërë në mëngjez. Unë kuptova se koha e reklamës kishte mbaruar, për t‟ja lënë radhën përgatitjes për kthim. Ishin shumë të tensionuara ato çaste kur Bujuja grumbullonte pajisjet dhe as fliste e as vështronte rreth e rrotull. Kishte shumë sende për të marrë me vete Bujuja, kishte govata llamarine, kazanë rakije, tepsira e kusira që nuk numuroheshin. Po çfarë kishte shitur gjatë ditës, derisa po grumbullonte kaq shumë? Nisa ta ndihmoj në grumbullimin e tyre për të qënë sa më parë të gatshëm, që të merrnim rrugën. Rrugën që do më bënte të lumtur. –Si dole sot Buju? e pyeta ashtu kot, si për t‟i lënë t‟i thënë se isha edhe unë pranë saj. –Nuk del keq njeriu në pazare, por lëvizi duart se po na bëhet vonë, – tha ajo duke e ngritur zërin si të më kishte të punësuar. Unë lëviza jo vetëm duart, por edhe sytë që po më shkonin rrotull nga çudija. Sa shpejt ishte shuar buzëqeshja dhe fjalët e saj të ngrohta. Por isha i sigurt se nuk ishte shuar diçka tjetër më e rëndësishme. Ai zjarr që na ngrohte të dyve e që do përvëlonte dynjanë, atje në vilën e saj buzë lumit. –Ku do i ngarkojmë gjithë këto enë Buju? Nuk ke ndonjë kafshë? –Një gomar të çalë që kam në shtepi, nuk bën ta lodh me këto sende. Por mos u mërzit se nuk janë të rënda. Nuk e bëra të gjatë. Të gjitha punët e mjeshtrit që kishin mbetur pa shitur i hodha në shpinë dhe mora rrugën. Qenka thënë që gomarin e çalë ta zvëndësoja unë! Bujuja kishte marrë vetëm dy tre ibrikë të bukur e të vegjël. Ecte para meje, duke tundur ato vithet e saj të kolme. Si për të shprehur kënaqësinë për atë ditë që po shkonte, ia kishte marrë një kënge cigane, që të kënaqte shpirtin. Çapitesha pas saj, duke lutur zotin që të merrte fund sa më parë ajo torturë dhe të fillonte qejfi. Bujuja përplaste ibriqet dhe nën ritmin e zhurmës së tyre, kërcente nëpër rrugën gjithë pluhur. Kjo ishte mënyra më e mirë për të shprehur kënaqësinë e fituar nga ajo ditë që po mbyllej. Kurse unë ndjeja se kazanët dhe govatat kishin nisur të më gërrvishtnin në shpatull. Kjo më bënte që ta prisja me padurim mbërritjen tek vila e Bujusë, atje buzë lumit. Por ajo rrugë nuk kishte të mbaruar dhe përpara nuk dukej asnjë fshat a ndërtesë. Po binte mbrëmja dhe gjithnjë e më rrallë këmbeheshim me njerëz që nxitonin të ktheheshin në vatrat e tyre. Nuk këmbenim as përshendetje me ta. Në këtë jetë secili ka brengat dhe gëzimet e veta, që s‟ka pse i ndan me të tjerët. – Kemi edhe shumë rrugë për të bërë Buju? – E pyeta dikur, nga që po e ndjeja lodhjen e supit. –Jo, edhe pak fare. Ja, pas asaj kodrës që sheh përtej atij bregut…Kaluam kodrën pas bregut, kaluam edhe dhjetra kodra të tjera, por vilën s‟na e zuri syri gjëkund. Nuk dija nëse do të rezistoja deri sa të arrinim. Pesha e govatave dhe kazanëve më ishte bërë e padurueshme. I kaloja herë në njerën e herë në tjetrën anë, por prap kurrizi e dinte se ç‟po hiqte. Më ngushëllonte fakti se pas pak do ndaleshim para vilës së saj dhe atje do harrohej lodhja e do fillonte loja. Së fundi u ndalëm përpara ca çadrave të ndërtuara me plastmas. Këto ishin vilat e tyre, para të cilave edhe vilat më luksoze e humbnin madhështinë. Na pritën zërat e gëzuar të katër fëmijve, që luanin me njëri tjetrin. Duhej të ishin bijtë e Bujusë. Vajzat e arrixhinjve martohen të vogla dhe nisin të lindin shpejt. Kur ato arrijnë moshën normale të martesës, kanë mbushur vatrën plot me fëmijë. Me të parë afrimin e Bujusë, ata iu vërsulën me vrap duke thirrur të gëzuar: –Erdhi mami nga pazari? Bujuja m‟i ngarkoi mua edhe ata dy tri ibrikët që kishte mbajtur gjatë rrugës, dhe u përkul të përkëdhelte fëmijët. Njëri prej tyre i doli nga pas dhe i hypi në shpinë. Dy të tjerë i mori në krah, kurse i katërti i kapi bishtin e fustanit. Së bashku morën rrugën e çadrës, duke më harruar mua në hutimin tim. I puthte e i përkëdhelte fëmijët, si të kishte një kohë të gjatë që s‟ishin parë. Një gomar i lidhur në breg të lumit, ngriti kokën dhe ia dha të pallurit me të madhe, kurse një burrë mustaqelli doli nga çadra dhe iu afrua Bujusë, për ta ndihmuar. Vetëm për mua që po më derdheshin djersët çurg, nuk i vinte keq njeriu. Jo për kafe nga dora e saj, që nuk bëhej fjalë, por as një fjalë falënderimi s‟e tha kush. Përkundrazi, dëgjova fjalët e mustaqelliut që i tha Bujusë: –Pse nuk prite edhe pak që të të dërgoja gomarin e çalë? –Nuk ishte nevoja ta lodhnim gomarin. Sot gjeta një tjetër gomar për të ngarkuar, tha ajo dhe tregoi nga unë, që sa s‟po më zinte frymën ankthi e poshtërimi…