Në Katedralen Notre Dame të Parisit u mbajt sot mesha e parë në pesë vjet, një ditë pasi ajo u rihap me një ceremoni zyrtare. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe zonja e parë Jill Biden iu bashkuan dhjetëra krerëve të shteteve në ceremonitë e rihapjes së Katedrales të shtunën, pesë vjet pasi ndërtesa ikonike e Parisit i shpëtoi shkatërrimit total nga një zjarr i madh. Ceremonitë, përfshirë dy mesha të mbajtura sot, ofrojnë një moment shkëlqimi për Francën mes paqëndrueshmërisë politike në vend.
Udhëheqës botërorë dhe besimtarë morën pjesë në meshën e parë pas pesë vjetësh në Katedralen Notre Dame sot në Paris. Mesha e drejtua nga kryepeshkopi i Parisit Laurent Ulrich.
“Ngado që na ndiqni, këtu katedrale, përballë një ekrani kudo në botë apo jashtë duke dëgjuar me çdo mjet tjetër komunikimi. Ju përshëndes me emocione të forta”, tha ai.
Mesha pasoi frymën festive të ceremonive të rihapjes, të mbajtura të shtunën.
Kryepeshkopi i Parisit Laurent Ulrich hapi dyert e Katedrales Notre Dame të shtunën në mbrëmje përmes trokitjes rituale të portës me një skeptër të veçantë.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ishte në mesin e më shumë se 1500 të ftuarve që morën pjesë në ceremoninë e mbrëmjes, duke shënuar udhëtimin e tij të parë jashtë vendit pas fitores në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Papa Françesku dërgoi një mesazh, duke ndarë gëzimin e tij për restaurimin dhe rihapjen e Katedrales Notre Dame.
Presidenti francez Emmanuel Macron falënderoi të gjithë ata që kishin ndihmuar për rindërtimin e Katedrales Notre Dame. Kombet e mëdha, tha ai, mund të realizojnë atë që duket e pamundur.
Më herët të shtunën, Macron dhe Trump zhvilluan bisedime private dhe më pas takuan presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Zonja e parë Jill Biden ishte gjithashtu e pranishme në ceremonitë e rihapjes së Katedrales Notre Dame të shtunën, të cilat u shoqëruan me muzikë.
Notre Dame sot u hap për publikun.
“Si katolik, për mua, është shumë e rëndësishme. Kjo është e rëndësishme për historinë e Francës dhe për fenë time. Kjo është gjithashtu e rëndësishme sepse dëshmon aftësitë tona”, tha biznesmeni francez Gaspard De Franssu.
“Unë jam e besimit hindu, por ashtu si njerëzit e tjerë nga mbarë bota, erdha këtu për të vizituar këto objekte fetare”, thotë turistja amerikane Palak Arora.
Zjarri i vitit 2019, që pothuajse shkatërroi Katedralen Notre Dame, tronditi botën. Qindra miliona dollarë dhe puna e qindra artizanëve ndihmuan në realizimin e premtimit të Presidentit Macron për ta rindërtuar atë në pesë vjet.
Ceremonitë festive për rihapjen e Katedrales Notre Dame vijnë në fund të një viti të vështirë për Francën, e cila po përballet me një borxh dhe deficit të lartë, pakënaqësi të punonjësve dhe rënien e qeverisë konservatore të Macronit.
Të paktën në këto momente vendi ka arsye për të festuar./Voa/