Ballina Kulturë Hapësira kulturore “Albanian Night”, Gonzato: Prezanton pasurinë e krijmtarisë shqiptare për tregun...

Hapësira kulturore “Albanian Night”, Gonzato: Prezanton pasurinë e krijmtarisë shqiptare për tregun evropian

50
0

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato foli sot nga hapësira më e re kulturore në kryeqytet, “Albanian Night”. Ambasadori shtoi se falë programit EU4Innovation, u bë e mundur një pjesë e mbështetjes financiare për këtë qendër të artit dhe kulturës tradicionale në Tiranë.

“Aty ku takohen trashëgimia kulturore dhe biznesi dhe ku e kaluara ringjallet për të ushqyer të ardhmen. Kjo është albanian.night.official, një hapësirë e re e hapur në Tiranë. Krenar që programi EU4Innovation me Gjermaninë dhe Norvegjinë, mbështeti nisjen me sukses të kësaj qendre të re kulturore që shfaq produktet autentike artizanale, folklorin unik dhe traditat më të mira për shqiptarët dhe vizitorët e huaj. Duke ruajtur identitetin lokal, AlbanianNight rivitalizon dhe prezanton për një treg evropian pasurinë e krijimtarisë shqiptare”, tha ai.

Ambasadori i BE-së theksoi se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një proces në interes të të dyja palëve, siç e cilësoi ai, Shqipëria do të sjellë shumë edhe kulturën e saj unike.

“”Albanian Night” kontribuon jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë dhe artit shqiptar, por në promovimin e një sektori kulturor në lulëzim dhe duke ofruar bazën për një shoqëri më të larmishme dhe gjithëpërfshirëse”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

“Albanian Night” është në dispozicion të artistëve e artizanëve shqiptarë, një hapësirë e cila përmbledh trashëgiminë kulturore nga tërësia e trevave shqiptare në një ambient të vetëm, në zemër të Tiranës, prej më shumë se 2500 metra katrorë sipërfaqe.