Në sheshin kryesor të Prishtinës, një organizatë qytetare nisi një peticion për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani. Qëllimi i organizatorëve është mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve, të cilat më pas do t’i dorëzohen Kuvendit të Kosovës si kërkesë zyrtare.
Peticioni, që u nis të mërkurën, ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, ndërsa një ish-deputete ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për këtë nismë, shkruan Klan Kosova.
Shumë qytetarë e kanë konsideruar këtë ide si një hap pozitiv për rikthimin e një emri historik të rajonit, ndërsa organizatorët planifikojnë ta zgjerojnë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në komunat e tjera të vendit.
Peticioni synon të hapë një debat publik mbi identitetin historik dhe kulturor të Kosovës, duke rikthyer në vëmendje emrin “Dardani,” që lidhet me të kaluarën antike të territorit.