Në 5-vjetorin e SPAK, kreu Altin Dumani ka deklaruar se struktura që ai drejton ka dhënë mesazhin se në Shqipëri nuk ka më të paprekshëm dhe se drejtësia nuk mban anë.
“Në këto 5 vite, sollëm ndëshkueshmëri në nivele të larta të pushtetit. Në përudhën 5-vjecare SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale.
Lidhur me korrupsionin, numërtojmë 1097 procedime penale dhe 1096 persona nën hetim. Nga këto 61 janë zyrtarë të nivelit të lartë. Dhe 70% e tyre janë dërguar për gjykim
Kemi arritur të hetojmë zyrtarë të të gjitha niveleve, duke u dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe se nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen dhe cenohen”, tha Dumani në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK.
“Kemi treguar se mund të përballet me kurajë, për t’i kthyer qytetarët shqiptarë te shteti i së drejtës dhe te forcimi i një prej parimeve kryesore të demokracisë: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar përpara tij.
Jemi krenar për kontributin tonë, sadopak që kemi dhënë, në lehtësimin e kësaj aspirate për qytetarët tanë. Dhe jemi të vendosur që të ruajmë standardin europian të zbatimit të ligjit”, shtoi Dumani.